Si anëtarësohen shtetet në BE? - NACIONALE

Si anëtarësohen shtetet në BE?

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë siguruar hapjen e negociatave për pranim në BE. Shteti i fundit që është anëtarësuar në BE është Kroacia, e cila iu bashkua bllokut më 2013. Cilët janë hapat që shtetet duhet t’i bëjnë për t’u anëtarësuar në BE?

Cilat janë kriteret për anëtarësim?

Anëtarësimi në BE bëhet përmes kushteve të përcaktuara në Nenin 49 të traktateve të Bashkimit Evropian. Shtetet që duan të anëtarësohen, duhet t’i respektojnë dhe t’i promovojnë vlerat themelore të BE-së, të përcaktuara në Nenin 2. Këtu përfshihen respektimi i demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut si dhe mbrojtja e pakicave. Nuk ka test formal për këto zotime para aplikimit. Komisioni e vlerëson përshtatshmërinë sipas këtyre kushteve porsa të pranohet aplikacioni.

Kriteret më specifike janë përcaktuar në një takim të Këshillit Evropian në Kopenhagë më 1993. Në kriteret e Kopenhagës theksohet se shtetet duhet të kenë institucione demokratike të qëndrueshme dhe funksionale, që mund ta garantojnë mbrojtjen e vlerave themelore të BE-së.

Shtetet, gjithashtu, duhet të kenë ekonomi funksionale të tregut, me aftësi për ta kuptuar konkurrencën në një treg të vetëm. Në fund, ato duhet të jenë në gjendje që ta zbatojnë librin e rregullave të BE-së në mënyrë efektive dhe të mund të marrin përsipër kërkesa administrative për anëtarësim.

Çfarë është procesi i pranimit?

Neni 49 i traktateve të BE-së e përcakton edhe procedurën e brendshme të BE-së për anëtarësimin e një shteti të ri. Komisioni Evropian bisedon në emër të BE-së, ndërsa procesi duhet të miratohet nga vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian. Edhe kuvendet e shteteve anëtare duhet ta japin dritën e gjelbër për anëtarësimin e një vendi të ri.

Ekzistojnë katër hapa themelorë: aplikimi, statusi i vendit kandidat, bisedimet dhe, në fund, pranimi. Për kalimin e secilës fazë kërkohet miratimi i njëzëshëm i Komisionit Evropian dhe i Këshillit Evropian. Miratimin përfundimtar duhet ta japin edhe Parlamenti Evropian dhe kuvendet e shteteve anëtare.

Secili shtet evropian, që vlerëson se i përmbush kriteret për pranim, mund të aplikojë për anëtarësim në BE. Më pas, Komisionit Evropian i kërkohet nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme i BE-së që ta bëjë vlerësimin nëse shteti i plotëson kriteret.

Nëse vlerësohet se një shtet i plotëson kushtet, rekomandohet që atij vendi t’i jepet statusi i kandidatit. Pas këtij hapi, hartohet korniza e bisedimeve dhe fillojnë bisedimet për 35 kapitujt e ligjeve të BE-së.

Kur përfundojnë bisedimet, Komisioni Evropian e rekomandon shtetin për anëtarësim. Marrëveshjet e arritura duhet të miratohen nga shumica e deputetëve të Parlamentit Evropian dhe njëzëri në Këshillin Evropian. Marrëveshjet duhet të miratohen edhe nga kuvendet shtetërore të vendeve anëtare.

Procesi ka ndryshuar rishtazi

Në marsin e vitit 2020, Këshilli Evropian i pranoi propozimet e Komisionit Evropian për disa ndryshime në procesin e anëtarësimit. Këto ndryshime lidhen me kërkesat më të fuqishme ndaj shteteve për çështjet themelore, si sundimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike. Sidoqoftë, me këto ndryshime është krijuar edhe një proces më i strukturuar negociues, është shtuar përfshirja e shteteve anëtare në bisedimet për pranim dhe janë shtuar numri e llojet e kontakteve politike mes BE-së e vendeve kandidate.

Reformat më thelbësore janë procedurale. 35 kapitujt për pranim në BE janë riorganizuar në gjashtë grupe tematike, përfshirë çështjet themelore dhe tregun e brendshëm.

Sa zgjat procesi?

Gjatë historisë së BE-së, pranimi ka zgjatur me kohë të ndryshme për secilin shtet. Shtetet që më së shpejti e kishin negociuar pranimin ishin Austria, Finlanda e Suedia – më pak se dy vjet. Nga fillimi i bisedimeve deri tek anëtarësimi, Kroacisë iu nevojitën më shumë se shtatë vjet.

Mesatarisht, një shteti i nevojiten më pak se pesë vjet nga fillimi i bisedimeve për anëtarësim, por korniza kohore varet nga aftësia e vendit kandidat për t’i arritur reformat e brendshme të nevojshme si dhe nga niveli i vullnetit politik të të gjitha palëve për zhvillimin e procesit./Përktheu: Nacionale

Lajme të ngjashme