Anketa e “Wall Street Journal”: Njëri kandidat prin në 6 prej 7 shteteve kyçe në ShBA - NACIONALE

Anketa e “Wall Street Journal”: Njëri kandidat prin në 6 prej 7 shteteve kyçe në ShBA

4 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është duke prirë në gjashtë prej shtatë shteteve me garën më të ngushtë për zgjedhjet presidenciale të këtij viti në ShBA, i shtyrë nga pakënaqësia e gjerë e votuesve me ekonominë e vendit dhe dyshimet e thella për aftësitë e Bidenit dhe performancën e tij në punë, sipas një sondazhi të ri të gazetës së njohur amerikane, “The Wall Street Journal”.

Anketa e fushëbetejave kryesore të zgjedhjeve tregon se Trumpi është duke mbajtur epërsi prej 2 deri në 8 për qind në gjashtë shtete: Pensilvani, Michigan, Arizona, Georgia, Nevada dhe Karolinë të Veriut. Gjatë anketës u përfshinë edhe kandidatë të palëve të treta dhe kandidatë të pavarur. Trumpi gëzoi përkrahje të ngjashme, edhe kur votuesve iu kërkua që të vendosnin vetëm mes tij dhe Bidenit, raporton e përditshmja amerikane.

Shteti i vetëm kyç ku Bideni pati epërsi prej 3 për qind ishte Wisconsin-i, në rastin e garës me shumë kandidatë, ndërsa me vetëm dy kandidatë, Trumpi dhe Bideni morën mbështetje të barabartë.

Në përgjithësi, anketa tregon pakënaqësi thelbësore me Bidenin mes votuesve që do të kenë më së shumti ndikim në rezultatin e zgjedhjeve.

Bideni kishte shënuar fitore të konsiderueshme më 2020, duke rrëmbyer tri shtete – Pensilvaninë, Michiganin dhe Wisconsin-in, që kishin qenë duke rrëshqitur nga duart e demokratëve dhe e kishin përkrahur Trumpin më 2016. Ai kishte fituar në një garë edhe më të ngushtë në Arizona dhe Georgia.

Besohet se gara është e hapur edhe në dy shtete të tjera: Nevada, ku Bideni ka fituar, por epërsia e demokratëve është ngushtuar, dhe Karolina e Veriut, shtet që e kishte përkrahur Trumpin me një epërsi të ngushtë më 2020.

Zyrtarët e fushatës së dy kandidatëve do të shpenzojnë qindra miliona dollarë në spote reklamuese dhe në përpjekje për t’i nxitur amerikanët që të votojnë në këto shtatë shtete, të cilat përbëjnë 93 vota të kolegjit zgjedhor nga 270 sa nevojiten për fitore.

Në secilin shtet ku u zhvillua anketa, pikëpamjet negative për punën e presidentit ia morën anën qëndrimeve pozitive për 16 për qind ose më shumë. Ky dallim arriti në 20 për qind në katër shtete. Në anën tjetër, për Trumpin kishte pikëpamje negative për punën e tij në Shtëpinë e Bardhë vetëm në një shtet – Arizona.

Në sondazhin e zhvilluar nga 17 deri më 24 mars u përfshinë 4.200 votues të kontaktuar përmes telefonit dhe porosive me shkrim – nga 600 votues në secilin prej shtatë shteteve. Margjina e gabimit ishte plus/minus 1,5 për qind për mostrën e plotë dhe 4 për qind për rezultatet në shtetet veç e veç,

Sipas anketës, votuesit kanë më shumë besim te Trumpi, kur bëhet fjalë për ekonominë, inflacionin dhe imigrantët, por Bideni shihet si kandidat i parapëlqyer për çështjen e abortit. Një mundësi tjetër për Bidenin është që një pjesë e madhe e elektoratit është e pavendosur. Rreth 25 për qind e votuesve janë të pavendosur ose përkrahin kandidatë të partive të tjera ose kandidatë të pavarur./Nacionale

Lajme të ngjashme