GjND-ja vendos për rastin kundër Gjermanisë - NACIONALE

GjND-ja vendos për rastin kundër Gjermanisë

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vendosë të martën për një kërkesë të Nikaraguas që gjykatësit e saj ta urdhërojnë Gjermaninë për t’ia ndalur ndihmën ushtarake Izraelit, duke argumentuar se përkrahja e Berlinit i mundëson aktet e gjenocidit dhe shkeljes së të drejtës humanitare ndërkombëtare në Gaza.

Rasti i paraqitur nga Nikaragua është përpjekja më e re nga një shtet me lidhje historike me popullin palestinez për ta ndalur ofensivën izraelite. Në fund të vitit të kaluar, Afrika e Jugut e akuzoi Izraelin për gjenocid pikërisht në këtë gjykatë. Rasti i Nikaraguas vjen në kohën kur aleatët e Izraelit po ballafaqohen me shtim të thirrjeve për t’ia ndërprerë furnizimin me armë dhe kur disa si Gjermania po e kritikojnë më shumë luftën, raporton agjencia “Associated Press”.

Të hënën, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha se Izraeli ende duhet të bëjë më shumë për ta rritur rrjedhjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Në seanca dëgjimore të mbajtura më herët këtë muaj, ambasadori i Nikaraguas në Holandë, Carlos Jose Arguello Gomez, i tha panelit prej 16 gjykatësish se “Gjermania po dështon që ta respektojë detyrimin e vet për ta parandaluar gjenocidin ose për ta garantuar respektimin e së drejtës humanitare ndërkombëtare”.

Nikaragua gjithashtu dëshiron që Gjermania ta rikthejë financimin për agjencinë e ndihmave të OKB-së në Gaza.

Udhëheqësja e ekipit ligjor të Gjermanisë, Tania von Uslar-Gleichen, tha se pretendimet e Nikaraguas “nuk kanë bazë në fakte ose ligj”.

Izraeli mohon fuqishëm se sulmi i tij në Gaza përbën akte gjenocidi, duke thënë se është duke vepruar në vetëmbrojtje pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izraeli më 7 tetor të vitit të kaluar, kur raportohet se u vranë rreth 1.200 njerëz.

Këshilltari ligjor i Izraelit, Tal Becker, iu tha gjykatësve më herët këtë vit në rastin e paraqitur nga Afrika e Jugut se Izraeli është duke luftuar “një luftë që nuk e nisi dhe nuk e dëshiroi”.

Që nga nisja e ofensivës izraelite, më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje. Në këtë shifër nuk bëhet dallimi mes civilëve dhe luftëtarëve, por Ministria thotë se shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë.

Lajme të ngjashme