Shumë marramendëse e ndihmave për Ukrainën deri më tani: Cilat shtete dhuruan më shumë? - NACIONALE

Shumë marramendëse e ndihmave për Ukrainën deri më tani: Cilat shtete dhuruan më shumë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pushtimi rus e ka vënë Ukrainën përballë një vendi me ushtri masive e me njërën prej ekonomive më të mëdha në botë. Ukraina ka qenë në gjendje për ta vazhduar luftën kryesisht për shkak të gati 350 miliardë dollarëve ndihma, për të cilat janë zotuar më së shumti vendet perëndimore që nga janari i vitit 2022.

Shtetet veç e veç përreth botës janë zotuar për ndarjen e gati 100 miliardë dollarëve në formë të asistencës së drejtpërdrejtë ushtarake për Ukrainën. Gati gjysma e kësaj ndihme vjen nga Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave të Institutit të Kielit për Ekonomi Botërore, të grumbulluara deri në korrik të këtij viti, raporton televizioni CNN.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar ndihma të drejtpërdrejta ushtarake me vlerë të rreth 46,6 miliardë dollarëve që nga fillimi i organizimit të mbështetjes së vendeve të NATO-s një muaj para fillimit të luftës, sipas këtyre të dhënave. Kjo shumë është pjesë e totalit prej 113 miliardë dollarësh për ndihma civile e ushtarake, edhe pse jo të gjitha janë të ndara për të përfunduar drejtpërdrejt në Ukrainë. Një pjesë e mjeteve ndahet për plotësimin e boshllëkut të rezervave në ushtrinë amerikane pas dhurimit të armëve e municionit për t’i ndihmuar shtetet e tjera që janë prekur nga situata gjeopolitike.

Shtetet e Bashkuara qëndrojnë bindshëm në vendin e parë në listën e shteteve që i kanë ndarë ndihma Ukrainës, me 47 për qind të shumës së përgjithshme. Në vend të dytë është Bashkimi Evropian, me 39 për qind, ndërsa shtete të tjera jashtë BE-së përbëjnë 14 për qind të zotimeve për asistencë.

Në përgjithësi, vendet e Bashkimit Evropian kanë premtuar 38 miliardë dollarë përkrahje të drejtpërdrejtë ushtarake për Ukrainën. Dhurueset më të mëdha brenda bllokut janë Gjermania, Danimarka dhe Polonia. Mbretëria e Bashkuara është zotuar për më shumë se shtatë miliardë dollarë ndihma të drejtpërdrejta ushtarake për Kievin.

Në mesin e donacioneve më të shtrenjta përfshihen raketat kundërajrore dhe anti-anije, sistemet e radarëve për zbulimin e vendndodhjes së armëve, anijet për heqjen e minave, barkat patrulluese, helikopterët dhe sistemet raketahedhëse, sipas Institutit të Kielit.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara e kanë ndarë shumën më të madhe të ndihmave, kontributi i Uashingtonit përbën vetëm 0,3 për qind të prodhimit vendës bruto, tregojnë të dhënat e këtij instituti.

Shikuar në këtë aspekt, Norvegjia ka ndarë ndihma me vlerë prej më shumë se 1,5 e prodhimit vendës bruto. Mbi 1 për qind të prodhimit vendës bruto për Ukrainën kanë ndarë edhe vendet baltike – Estonia, Letonia e Lituania – si dhe Danimarka.

Lajme të ngjashme