“Shpresoj që të fitojë”: Presidenti brazilian e përkrah publikisht Bidenin në zgjedhje
Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, ka thënë se shpreson që homologu i tij amerikan, Joe Biden, t’i fitojë zgjedhjet presidenciale në ShBA në nëntor.
“Edhe pse unë nuk jam votues në ShBA, mendoj se është e qartë që Bideni është garanci më e madhe për mbijetesën e demokracisë në botë dhe në Shtetet e Bashkuara” – tha Lula në një intervistë për televizionin lokal, “Rede TV”, përcjell agjencia “Reuters”.
Lula, i cili ishte bërë pjesë e politikës në vitet e shtatëdhjeta si udhëheqës sindikate, tha se ka “marrëdhënie të mirë” me Bidenin dhe e çmoi presidentin amerikan për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, duke theksuar se ai vitin e kaluar kishte përkrahur një grevë kundër prodhuesve të automjeteve në ShBA.
“Që nga fillimi (i mandatit), Bideni e ka pozicionuar veten në mbrojtje të punëtorëve. Shpresoj që Bideni t’i fitojë këto zgjedhje” – tha presidenti brazilian.
Në shtator, dy presidentët filluan një nismë për avancimin e të drejtave të klasës punëtore dhe gjithashtu janë pajtuar për tema si tranzicioni drejt energjisë më të gjelbër, duke qenë anëtarë të Aleancës Globale të Bio-energjisë.
Megjithatë, në mesin e mosmarrëveshjeve mes tyre është lufta në Gaza. Lula thotë se Izraeli është përgjegjës për “gjenocid” kundër palestinezëve. Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, i tha presidentit brazilian në një takim javën e kaluar se Uashingtoni nuk pajtohet me komentet e tij.
Në vitin 2022, Bideni ishte njëri ndër udhëheqësit e parë që e kishin uruar Lula-n për fitoren në zgjedhje dhe e përkrahu atë më 8 janar 2023, kur përkrahësit e ish-presidentit Jair Bolsonaro kishin hyrë me forcë dhe kishin kryer plaçkitje në pallatin presidencial, Kongres e Gjykatë Kushtetuese, duke bërë thirrje për puç ushtarak.
Ato skena krahasohen shpesh me sulmin nda Capitol-it të ShBA-së nga përkrahësit e ish-presidentit Donald Trump më 6 janar 2021. Në të kaluarën, Lula e ka quajtur Bolsonaron “kopje” e Donald Trumpit.