Shpërthime e të shtëna në Munih, një i vdekur – mbyllet festivali i birrës “Oktoberfest”
Festivali i birrës “Oktoberfest” në Munih do të qëndrojë i mbyllur të mërkurën të paktën deri në orën 17:00, pasi policia gjermane tha se zbuloi pajisje shpërthyese në një ndërtesë banimi në pjesën veriore të qytetit. Ato u kapluan nga zjarri, duke lënë një person të vdekur.
Si pjesë e një operacioni të madh për të cilin policia tha më herët se nuk paraqiste rrezik për publikun, forcat special po kryenin hetim në një zonë në pjesën veriore të Munihut, ku gazeta “Bild” dhe media të tjera thanë se ishin dëgjuar të shtëna dhe shpërthime, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Policia tha se ndërtesës së banimit i ishte vënë zjarri qëllimisht për shkak të një mosmarrëveshjeje familjare dhe një person që u gjet aty kishte vdekur, ndërsa një tjetër ishte i zhdukur, por nuk besohej se ishte në rrezik.
Sipas policisë, u desh angazhimi i forcave speciale për çaktivizimin e bombave të kurdisura në ndërtesë.
“Aktualisht jemi duke i hetuar të gjitha mundësitë. Po ekzaminohen lidhjet e mundshme me lokacione të tjera në Munich, përfshirë Theresienwiese-n [ku ndodhet festivali Oktoberfest]” – tha policia e Munihut.
“Për këtë arsye, hapja e hapësirave të festivalit është shtyrë” – shtoi policia.
“Oktoberfesti”, festivali më i madh popullor në botë, u hap më 20 shtator dhe është planifikuar që të përfundojë më 5 tetor.
Në uebfaqen e vet, festivali tha se do të qëndronte i mbyllur të mërkurën deri në orën 17:00 për shkak të shpërthimit në pjesën veriore të Munihut.