Shpërthen një sëmundje misterioze e mëlçisë tek fëmijët në BE dhe ShBA - NACIONALE

Shpërthen një sëmundje misterioze e mëlçisë tek fëmijët në BE dhe ShBA

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët shëndetësorë thonë se kanë zbuluar më shumë raste të një sëmundjeje misterioze të mëlçisë tek fëmijët që u identifikua për herë të parë në Britani, ndërsa tani është përhapur edhe në Evropë e ShBA.

Javën e kaluar, zyrtarët britanikë thanë se që nga muaji janar, janë zbuluar 74 raste të hepatitit, ose inflamacionit të mëlçisë tek fëmijët. Te këto raste nuk janë parë viruse që zakonisht shkaktojnë hepatitin infektiv, prandaj tani shkencëtarët dhe mjekët po shqyrtojnë burime të tjera të mundshme të sëmundjes.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, raste të tjera të hepatitit janë identifikuar edhe në Danimarkë, Irlandë, Holandë dhe Spanjë. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë kanë raportuar nëntë raste në Alabama tek fëmijët e moshës 1 deri në 6 vjeç.

“Hepatiti i lehtë është shumë i zakonshëm tek fëmijët pas një sërë infeksionesh virale, por ajo që po shihet për momentin është krejt ndryshe”, tha Graham Cooke, profesor i sëmundjeve infektive në Imperial College London.

Sipas, Associated Press, disa nga fëmijët e sëmurë në Mbretërinë e Bashkuar kanë kërkuar kujdes të specializuar në njësitë e mëlçisë dhe disa kanë nevojë për transplantim të mëlçisë.

Ndërsa është ende e paqartë se çfarë e shkakton sëmundjen, i dyshuar kryesor është një adenovirus. Ekzistojnë dhjetra lloje të adenovirusit dhe shumë prej tyre shoqërohen me simptoma të ngjashme me të ftohtin, ethe, dhimbje fyti dhe sy të skuqur. Autoritetet amerikane kanë njoftuar se nëntë fëmijët e sëmurë në Alabama kanë rezultuar pozitivë me këtë virus, ndërsa zyrtarët shëndetësor janë duke eksploruar për një lidhje me një version të veçantë – adenovirus 41, që normalisht lidhet me inflamacionin e zorrëve.

Sa i përket lidhjes së mundshme me vaksinat e koronavirusit, zyrtarët e shëndetit publik kanë përjashtuar çdo lidhje pasi që asnjë nga fëmijët e prekur deri më tani nuk ishte vaksinuar kundër Covidit.

Ndërkohë, OBSH vuri në dukje se megjithëse ka pasur një rritje të adenoviruseve në Britani, roli i mundshëm i këtyre viruseve në nxitjen e hepatitit është i paqartë. OBSH tha se kishte më pak se pesë raste në Irlandë dhe tre raste të konfirmuara në Spanjë, te fëmijët e moshës 22 muaj deri në 13 vjeç.

Agjencia shëndetësore e OKB-së tha se duke pasur parasysh rritjen e rasteve në muajin e kaluar, ka shumë mundësi të zbulohen edhe raste të tjera.

Departamenti i Shëndetit dhe Shkencës i Associated Press bashkëpunon me Institutin Mjekësor Howard Hughes-Departamenti i Shkencave të Edukimit.

Lajme të ngjashme