Shpallet gjendje emergjente në Kursk të Rusisë, sulmi ukrainas vazhdoi edhe të mërkurën
Gjendja emergjente është shpallur në rajonin Kursk të Rusisë, pasi një sulm i rrallë matanë kufirit nga trupat ukrainase vazhdoi të mërkurën.
Guvernatori rajonal në detyrë, Alexei Smirnov, tha se kjo masë ishte e nevojshme “për t’i eliminuar pasojat e forcave armike që po vijnë në rajon”, raporton televizioni BBC.
Zyrtarët rusë thanë se të paktën pesë civilë ishin vrarë dhe 31 të tjerë ishin plagosur, gjashtë prej tyre fëmijë, që nga fillimi i sulmit.
Ukraina nuk ka komentuar zyrtarisht dhe thellësia e sulmit mbetet e paqartë.
Të martën në mëngjes, deri në një mijë trupa ukrainase, si dhe 11 tanke e mbi 20 automjete të blinduara luftarake hynë në Rusi, afër qytezës Sudzha, tha Moska.
Raportohet se luftimet u zhvilluan në një numër fshatrash gjatë tërë ditës së martë, ndërsa autoritetet lokale iu bënë thirrje banorëve që t’i kufizonin lëvizjet dhe të gjitha organizimet publike u anuluan.
Disa alarme për sulme ajrore u lëshuan në Kursk, ndërsa në pamje të publikuara në internet dhe të vërtetuara nga BBC-ja shiheshin aeroplanë luftarakë duke fluturuar në qiell, ndërsa tymi dilte nga disa zona në tokë.
Mijëra njerëz u evakuuan nga zonat kufitare dhe po silleshin mjekë nga qytete të tjera, tha guvernatori Smirnov.
Hyrjet e trupave ukrainase në territorin e Rusisë kanë qenë shumë të rralla që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Të mërkurën në mbrëmje, deputeti ukrainas, Oleksiy Honcharenko, tha se ushtria ukrainase e kishte vendosur kontrollin në qendrën e gazit në Sudzha, objekt i rëndësishëm i gazit, i përfshirë në transitin e gazit natyror nga Rusia për në BE përmes Ukrainës, që ka vazhduar pavarësisht nga zhvillimi i luftës./Nacionale