Shkon në 44 numri i të vrarëve nga sulmet izraelite në Gaza të enjten
Një sulm ajror izraelit goditi një stacion policor në Jabalia të Rripit të Gazës të enjten, duke lënë të vrarë të paktën dhjetë njerëz, thanë autoritetet shëndetësore lokale, ndërsa ushtria izraelite tha se goditi një qendër komande të Hamasit dhe të Xhihadit Islam.
Mjekët thanë se dy raketa izraelite e goditën stacionin e policisë, i cili ndodhej afër një tregu, gjë që çoi në plagosjen e dhjetëra njerëzve, përpos dhjetë të vrarëve. Identiteti i të vrarëve nuk ishte menjëherë i qartë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Autoritetet shëndetësore lokale thanë se sulmet izraelite lanë të vrarë të paktën 34 njerëz të tjerë në sulme të ndara ajrore në mbarë enklavën, duke e çuar në 44 numrin e përgjithshëm të të vrarëve.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se Spitali i Fëmijëve “Durra” në Qytetin Gaza është bërë jooperacional, një ditë pasi një sulm izraelit e goditi pjesën e sipërme të ndërtesës, duke e dëmtuar njësinë e kujdesit intensiv dhe duke e shkatërruar sistemin e energjisë diellore të ndërtesës.
Askush nuk u vra aty. Nuk pati koment nga Izraeli për këtë incident.
Ushtria izraelite tha të enjten se një ushtar u vra gjatë luftimeve në pjesën veriore të Rripit të Gazës, ndërsa një oficer dhe një rezervist u lënduan rëndë.
Që nga shembja e armëpushimit më 18 mars, nga sulmet izraelite janë vrarë më shumë se 1.900 palestinezë, shumë prej tyre civilë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, ndërsa qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur, pasi Izraeli e mori nën kontroll atë që e quan zonë neutrale në tokën e Gazës./Nacionale