Vala e dytë: 20 të vrarë e qindra të plagosur nga shpërthimet e radio-lidhjeve në Liban - NACIONALE

Vala e dytë: 20 të vrarë e qindra të plagosur nga shpërthimet e radio-lidhjeve në Liban

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Një valë e re e shpërthimeve të jashtëzakonshme, që në shënjestër e kishin Hezbollahun dhe që u kryen përmes radio-lidhjeve, kanë lënë të paktën 20 të vdekur e mbi 450 të lënduar në qytete të ndryshme të Libanit.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se shpërthimet e njëkohshme të mijëra pajisjeve të komunikimit mund të përbëjnë krime lufte, raporton gazeta “The Guardian”.

Shpërthimi i shënjestruar i radio-lidhjeve ndodhi një ditë pasi 12 njerëz u vranë dhe mbi 2.800 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i pejxherëve, veprim që i është ngarkuar Izraelit dhe që ka nxitur udhëheqës e diplomatë botërorë të paralajmërojnë se kjo mund të çojë te një konflikt i plotë mes Izraelit dhe Hezbollahut, pavarësisht nga përpjekjet e OKB-së dhe ShBA-së për ta shmangur atë.

Një burim brenda Hezbollahut konfirmoi se radio-lidhjet e përdorura nga grupi ishin në shënjestër të sulmit të së mërkurës. Një burim i lartë i sigurisë tha se shpërthimet veç e veç ishin të vogla, të ngjashme me sulmet e së martës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i dënoi sulmet dhe bëri thirrje për përmbajtje nga Hezbollahu dhe Izraeli, ndërsa Këshilli i Sigurimit pritet të mblidhet të premten për të diskutuar rreth operacioneve të pashembullta në atë që duket si komprometim masiv i zinxhirit furnizues nga inteligjenca izraelite.

Gjatë vizitës në një bazë të forcave ajrore të mërkurën, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se vendi i tij po e zhvendos fokusin ushtarak drejt frontit me Hezbollahun.

“Qendra e gravitetit është duke lëvizur drejt veriut, që do të thotë se ne gjithnjë më shumë po i devijojmë forcat, burimet dhe energjinë drejt veriut” – tha ai, duke shtuar se qëllimi është që banorët e zhvendosur të veriut të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Ministri më pas e lavdëroi agjencinë izraelite të inteligjencës, Mossad, për “arritje të mëdha”, por nuk e mori përgjegjësinë për sulmet dyditore në Liban.

“E kam thënë më parë, ne do t’i kthejmë qytetarët e veriut në shtëpitë e tyre në siguri dhe kjo është saktësisht ajo që do ta bëjmë” – tha në një deklaratë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sipas raportimeve në mediat izraelite, Netanyahu dhe këshilltarët e tij ushtarakë mund të kenë vendosur që t’i shpërthejnë pajisjet këtë javë për shkak të shqetësimeve se Hezbollahu mund të ishte afër zbulimit të operacionit, që ishte nisur të paktën para pesë muajve.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, i cili po e viziton Egjiptin për të diskutuar një propozim për armëpushim në Gaza, u duk se sugjeroi që Izraeli e kishte zgjedhur kohën e sulmit për ta prishur arritjen e mundshme të paktit në këto bisedime.

Kur ShBA-ja dhe ndërmjetësit e tjerë besonin se po shënonin përparim për një marrëveshje armëpushimi në Gaza, Blinkeni tha se “përsëri e përsëri, kemi parë një ngjarje që... kërcënon që ta ngadalësojë atë [përparimin], ta ndalë atë, ta nxjerrë nga binarët”, duke iu referuar shpërthimeve të së martës në Liban. Në mënyrë të pazakontë, ai kësaj radhe nuk kishte planifikuar vizitë në Izrael gjatë qëndrimit në Lindje të Mesme./Nacionale

Lajme të ngjashme