Shkencëtarët krijojnë minj me dy baballarë, hapet rruga për trajtime të reja të infertilitetit
Në një zhvillim të fundit që hap mundësi të reja radikale për riprodhim, shkencëtarët kanë njoftuar se kanë arritur të krijojnë minj me dy baballarë biologjikë duke gjeneruar vezë nga qelizat mashkullore.
The Guardian shkruan se ky përparim i fundit, mund të hapë rrugën për trajtime të reja për format më të rënda të infertilitetit, si dhe të rrisë perspektivën joshëse që në të ardhmen çiftet e të njejtit seks të jenë në gjendje të kenë fëmijë biologjik së bashku.
"Ky është rasti i parë i krijimit të ovociteve të fuqishme të gjitarëve nga qelizat mashkullore," – ka thënë Katsuhiko Hayashi, drejtues i projektit në Universitetin Kyushu në Japoni dhe është i njohur ndërkombëtarisht si një pionier në fushën e vezëve dhe spermës së rritur në laborator.
Hayashi, i cili e ka prezantuar zhvillimin në Samitin e Tretë Ndërkombëtar mbi Redaktimin e Gjenomit Njerëzor në Institutin Francis Crick në Londër, ka parashikuar se do të jetë teknikisht e mundur të krijohet një vezë e qëndrueshme njerëzore nga një qelizë e lëkurës mashkullore brenda një dekade.
Vlen të përmendet se kjo është hera e parë që vezët e qëndrueshme janë kultivuar nga qelizat mashkullore dhe shënon një përparim të rëndësishëm. Është bërë e ditur se tani ekipi i Hayashi po përpiqet të përsërisë këtë arritje me qelizat njerëzore, megjithëse mendohet se do të kishte pengesa të rëndësishme për përdorimin e vezëve të rritura në laborator për qëllime klinike.
"Thjesht në aspektin teknologjik, do të jetë e mundur te njerëzit edhe në 10 vjet," – ka thënë Hayashi, duke shtuar se ai personalisht do të ishte në favor që teknologjia të përdoret klinikisht për të lejuar dy burra të kenë një fëmijë.
Ndër të tjera, është bërë e ditur se kjo teknikë do të mund të aplikohet edhe për trajtimin e formave të rënda të infertilitetit, duke përfshirë gratë me sindromën Turner.
Krijimi i fundit është përshkruar nga dekani i Shkollës Mjekësore të Harvardit, George Daley si “magjepsës”, pork a shtuar se kërkime të tjera kanë treguar se krijimi i gameteve të rritura në laborator nga qelizat njerëzore do të ishte më sfidues sesa për qelizat e miut.
“Ne ende nuk e kuptojmë mjaftueshëm biologjinë unike të gametogjenezës njerëzore për të riprodhuar punën provokuese të Hayashit te minjtë,”- është shprehur ai.
Lidhur me punën e fundit shkencëtarët kanë njoftuar se kanë marrë rreth 600 embrione, të cilat janë implantuar në minj zëvendësues, duke rezultuar në lindjen e shtatë minjve të vegjël.
Ata kanë thënë se minjtë duken të shëndetshëm, me jetëgjatësi normale dhe po rriten normalisht, duke shtuar se tani janë në përpjekje për të përsëritur krijimin e vezëve të rritura në laborator duke përdorur qeliza njerëzore.


