Shkelet armëpushimi: Izraeli e sulmon Libanin, pasi Hezbollahu goditi një pozicion ushtarak - NACIONALE

Shkelet armëpushimi: Izraeli e sulmon Libanin, pasi Hezbollahu goditi një pozicion ushtarak

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraeli tha se goditi caqe në Liban të hënën në mbrëmje, pasi u zotua se do të hakmerrej për një sulm të Hezbollahut ndaj një pozicioni ushtarak. Të dyja palët e akuzuan njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit të arritur javën e kaluar.

Të paktën nëntë njerëz u vranë nga sulmet izraelite ndaj dy fshatrave jugore libaneze, sipas Ministrisë së Shëndetit Publik të Libanit, raporton televizioni BBC.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se goditën caqe dhe infrastrukturën e Hezbollahut “në mbarë Libanin”, ndërsa e ritheksuan angazhimin e tyre për marrëveshjen e armëpushimit.

Hezbollahu tha se po u kundërpërgjigjej “shkeljeve” izraelite dhe se kreu një sulm “mbrojtës paralajmërues”, duke hedhur mortaja drejt një pozicioni ushtarak izraelit në një zonë të pushtuar nga Izraeli.

Izraeli tha se nuk kishte të lënduar nga sulmet e Hezbollahut ndaj zonës së Malit Dov – rajon i kontestuar në kufirin Izrael – Liban, i njohur ndërkombëtarisht si Fermat Shebaa.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e përshkroi sulmin e Hezbollahut si “shkelje të rëndë e armëpushimit”, duke u zotuar se Izraeli do të kundërpërgjigjej “me forcë”.

Kur ishte njoftuar arritja e armëpushimit, Netanyahu kishte thënë se vendi i tij nuk do të ngurronte që të sulmonte, nëse Hezbollahu do t’i shkelte kushtet e armëpushimit.

Dhuna e së hënës është shenjë e brishtësisë së armëpushimit të arritur rishtazi, me të cilin është synuar që t’i jepet fund konfliktit 13-mujor mes Izraelit e Hezbollahut./Nacionale

Lajme të ngjashme