ShBA paralajmëron se Kina mund ta rrisë mbështetjen për Rusinë
Zyrtarë amerikanë të njohur me Inteligjencën, kanë thënë se Shtetet e Bashkuara kanë filluar të shohin tendenca “shqetësuese”, të mbështetjes së Kinës për ushtrinë ruse.
Duke folur për CNN, zyrtarët kanë thënë se ka shenja që Pekini dëshiron të "zvarritet deri në vijën" e ofrimit të ndihmës vdekjeprurëse ushtarake për Rusinë pa u kapur.
Zyrtarët nuk kanë dhënë detaje se çfarë të dhënash ka parë ShBA në lidhje me qëndrimin e Kinës, megjithatë kanë njoftuar se vendi e ka ndarë këtë informacion edhe me aleatët dhe partnerët e tjerë në Konferencën e Sigurisë në Mynih gjatë disa ditëve të fundit.
Lidhur me mbështetjen e Kinës për Rusinë ka folur edhe zëvendëspresidentja Kamala Harris, duke shprehur shqetësim.
“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar që Pekini ka thelluar marrëdhëniet e tij me Moskën që nga fillimi i luftës. Duke parë përpara, çdo hap i Kinës për të ofruar mbështetje vdekjeprurëse për Rusinë do të shpërblente vetëm agresionin, do të vazhdonte vrasjen dhe do të minonte më tej një rend të bazuar në rregulla,”- ka thënë Harris.
Ndërkohë, zyrtarët kanë thënë se ShBA-të po e shohin Kinën si një vend që po përpiqet të prezantohet publikisht si një ithtar i paqes duke dashur të mbajë marrëdhënie me Evropën, ndërsa në të njëjtën kohë ndihmon në heshtje përpjekjet luftarake të Rusisë dhe konsideron ofrimin e ndihmës vdekjeprurëse.
Sipas raportimit të CNN, muajin e kaluar administrata Biden ka ngritur shqetësime me Kinën për prova se kompanitë kineze i kanë shitur Rusisë pajisje jo-vdekjeprurëse për t'u përdorur në Ukrainë.
Burime të njohura me inteligjencën amerikane dhe evropiane, kanë bërë të ditur për agjencinë e lajmeve se në këto pajisje janë përfshirë artikuj si xhaketa dhe helmeta. Megjithatë, burimet kanë thënë Kina nuk ka ofruar asistencë më të fuqishme ushtarake, si sistemet e armëve vdekjeprurëse për përdorim në fushën e betejës në Ukrainë, që Rusia i ka kërkuar sepse nuk donte të shihej si një e “pabesë” në skenën botërore.
Por tani, zyrtarët kanë thënë se ka shenja që Pekini mund ta marrë në konsideratë ofrimin e kësaj ndihme dhe zyrtarët e administratës së Biden po paralajmërojnë publikisht dhe privatisht se ShBA është duke monitoruar nga afër për çdo shkelje të sanksioneve perëndimore që ndalojnë mbështetjen ushtarake për Rusinë.
Kujtojmë se pak kohë para se Rusia të pushtonte Ukrainën, ajo deklaroi publikisht bashkë me Kinën, një "miqësi pa kufij", ndërsa është bërë e ditur edhe se kryediplomati kinez Wang Yi do të vizitojë Rusinë këtë muaj.

