Kamala Harris: Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit
Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ka thënë se vendi i saj ka vlerësuar se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë.
“Ne i kemi ekzaminuar dëshmitë. I dimë standardet ligjore dhe nuk ka dyshim se këto janë krime kundër njerëzimit”- deklaroi zyrtarja e lartë amerikane në Konferencën e Mynihut për Siguri, e cila po mbahet në Gjermani, raporton televizioni BBC.
“Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar formalisht se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit”- përsëriti ajo.
“U them të gjithë atyre që i kanë kryer këto krime dhe mbikëqyrësve të tyre, që janë të përfshirë në këto krime: do t’ju kërkohet llogari”- shtoi nënpresidentja amerikane.
“Rusia ka zbatuar një sulm të gjerë e të vazhdueshëm kundër popullsisë civile ukrainase”- tha zonja Harris, edhe pse Rusia disa herë ka mohuar se i ka në shënjestër civilët.
Nënpresidentja pati një paralajmërim për presidentin rus, Vladimir Putin. “Nëse ai mendon se mund të na presë, gabohet keq. Koha nuk është në anën e tij”- tha ajo.
Harris e përsëriti përkushtimin e ShBA-së ndaj Ukrainës, duke thënë: “Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partnere tuajat në këtë rrugë fisnike.”
