ShBA ndryshon politikën për marrjen e “green card”: Çka duhet të dini?
Shtetet e Bashkuara kanë shpallur një politikë të re, sipas së cilës shumica e emigrantëve që kërkojnë të marrin “green card” do të duhet të largohen nga vendi dhe të aplikojnë në një ambasadë ose konsullatë jashtë SHBA-së.
Shërbimi i Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së (USCIS) njoftoi të premten se personat që kërkojnë ndryshim statusi duhet ta bëjnë këtë përmes procedurës konsullore jashtë vendit, “përveç rasteve të jashtëzakonshme”.
Kjo masë — pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të kufizuar emigracionin ilegal — mbyll një boshllëk ligjor që u kishte lejuar mbajtësve të vizave dhe vizitorëve të aplikonin për “green card” ndërsa ndodheshin ende në SHBA.
Kritikët e politikës thonë se sistemi i deritanishëm u mundësonte familjeve të qëndronin së bashku gjatë procesit të gjatë të aplikimit.
Metoda e re mund ta bëjë gjithashtu të vështirë ose të pamundur për disa emigrantë që largohen nga SHBA-ja me shpresën për të marrë “green card”-in — i cili jep qëndrim të përhershëm në SHBA — që të rikthehen sërish në vend.
Memorandumi i USCIS-së thotë se persona si studentët, punëtorët e përkohshëm ose ata me viza turistike duhet ta ndjekin procesin përmes Departamentit të Shtetit nga jashtë SHBA-së.
“Kur të huajt aplikojnë nga vendi i tyre i origjinës, zvogëlohet nevoja për të gjetur dhe dëbuar ata që vendosin të fshihen dhe të qëndrojnë ilegalisht në SHBA pasi u refuzohet qëndrimi”, tha USCIS, duke shtuar se sistemi bëhet “më i drejtë dhe më efikas”.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr USCIS-në, shkroi në platformën X: “Epoka e abuzimit me sistemin tonë të emigracionit ka përfunduar.”
“Po rikthehemi te qëllimi origjinal i ligjit për të siguruar që të huajt ta ndjekin siç duhet sistemin tonë të emigracionit”, tha zëdhënësi i USCIS-së, Zach Kahler.
“Tani e tutje, një i huaj që ndodhet përkohësisht në SHBA dhe dëshiron një ‘green card’ duhet të kthehet në vendin e tij për të aplikuar, përveç rasteve të jashtëzakonshme.”
Kahler tha se politika do t’i lejojë sistemit të emigracionit “të funksionojë sipas qëllimit të ligjit, në vend që të inkurajojë shfrytëzimin e boshllëqeve ligjore”, duke shtuar se vizitat “nuk duhet të shërbejnë si hapi i parë në procesin e marrjes së ‘green card’-it”.
Ende nuk është e qartë nëse aplikimet për “green card” që janë aktualisht në proces do të preken nga kjo politikë.