ShBA mohon përfshirjen në sulmin e pretenduar me dron në Kremlinit
Pas pretendimeve të zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov se ShBA ndodhet prapa sulmit me dron në Kremlin, Shtëpia e Bardhë ka mohuar çdo përfshirje në të.
Më herët Peskov kishte pretenduar se pas incidentit të së mërkurës qëndronin ShBA-të. Ai tha se “Rusia e di se vendimet për sulme të tilla terroriste merren në Uashington dhe se Kievi thjesht i zbaton ato vendime”.
Ndërkohë, zëdhënësi i këshilit të sigurisë kombëtare të ShBA-së, John Kirby ka thënë se vendi nuk ka asnjë lidhje me sulmin, duke përsëritur se ShBA nuk i mbështet apo i fal sulmet nga Ukraina jashtë kufijve të saj.
“Ne kemi qenë të qartë me ta publikisht dhe kemi qenë të qartë me ta privatisht se ne nuk i inkurajojmë dhe as nuk u mundësojmë atyre të sulmojnë jashtë Ukrainës,”- është shprehur ai.
Kujtojmë se Peskov po ashtu ka pretenduar se Shtetet e Bashkuara shpesh i kanë përzgjedhur caqet që duhet të sulmohen nga Ukraina dhe mjetet me të cilat do të sulmohen ato.
“Kjo, gjithashtu, diktohet shpesh nga pjesa matanë oqeanit. Ne e dimë këtë mirë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë... Në Uashington, ata duhet të kuptojnë qartë se ne e dimë këtë”- shtoi ai.
Kremlini ka thënë se e rezervon të drejtën për t’u hakmarrë, por nuk ka treguar se në çfarë mënyre mund ta bëjë këtë.
Peskovi tha se Rusia ka disa opsione dhe se kundërpërgjigjja, kur të vijë, do të shqyrtohet dhe do të baraspeshohet me kujdes. Ai tha se është duke u zhvilluar një hetim urgjent, por se nuk mund të tregonte se kur do të dihen rezultatet e hetimit.

