Rusia e akuzon ShBA-në se qëndron prapa sulmit të pretenduar me dron ndaj Kremlinit - NACIONALE

Rusia e akuzon ShBA-në se qëndron prapa sulmit të pretenduar me dron ndaj Kremlinit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia i akuzoi Shtetet e Bashkuara të enjten se qëndrojnë prapa atij që e ka cilësuar si sulm ndaj Kremlinit me qëllimin për ta vrarë presidentin rus, Vladimir Putin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e bëri këtë pretendim në një konferencë për gazetarë, duke thënë se Uashingtoni duhet të jetë i vetëdijshëm se Rusia e di që ShBA-ja është duke i përzgjedhur shënjestrat dhe se Ukraina është thjesht duke i zbatuar planet amerikane. Ai nuk ofroi ndonjë dëshmi për ta mbështetur pretendimin për përfshirjen e ShBA-së, raporton agjencia “Reuters”.

Ukraina ka mohuar se ishte e përfshirë në incidentin që thuhet të ketë ndodhur në orët e para të së mërkurës, ku përmes një videoje shihen dy objekte fluturuese duke iu afruar Kremlinit dhe njëri duke shpërthyer.

“Përpjekjet për t’u distancuar prej kësaj, edhe në Kiev, edhe në Uashington, janë, natyrisht, absolutisht qesharake. Ne dimë shumë mirë se vendimet për veprime të tilla, për sulme të tilla terroriste, nuk merren në Kiev, por në Uashington”- tha zëdhënësi rus.

Peskovi pretendoi se Shtetet e Bashkuara shpesh i kanë përzgjedhur caqet që duhet të sulmohen nga Ukraina dhe mjetet me të cilat do të sulmohen ato.

“Kjo, gjithashtu, diktohet shpesh nga pjesa matanë oqeanit. Ne e dimë këtë mirë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë... Në Uashington, ata duhet të kuptojnë qartë se ne e dimë këtë”- shtoi ai.

Kremlini ka thënë se e rezervon të drejtën për t’u hakmarrë, por nuk ka treguar se në çfarë mënyre mund ta bëjë këtë.

Peskovi tha se Rusia ka disa opsione dhe se kundërpërgjigjja, kur të vijë, do të shqyrtohet dhe do të baraspeshohet me kujdes. Ai tha se është duke u zhvilluar një hetim urgjent, por se nuk mund të tregonte se kur do të dihen rezultatet e hetimit.

Lajme të ngjashme