ShBA: Kina po shpenzon miliarda dollarë për të dezinformuar për Rusinë
Një njëri i rëndësishëm në historinë e Kosovës, James Rubin, dikur ndihmës dhe kryezëdhënës i ish-sekretares, Madeleine Albright, i cili në vitet 1999 ishte negociator special për të siguruar demobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani ka marrë një rol të tjetër si i dërguar special i ShBA-së dhe kordinator për Qendrën Globale të Angazhimit, një organ i Departamentit të Shtetit të ShBA-së për të "ekspozuar dhe kundërshtuar" propagandën dhe dezinformimin e huaj.
Rubin ka bërë të ditur se Perëndimi ka qenë i ngadalshëm për t’iu përgjigjur Kinës në shpenzimin e miliarda dollarëve që ka bërë në nivel global për të përhapur dezinformata pro-ruse. Ai ka shtuar se në këto dezinformata të Kinës, përfshihen edhe mesazhe që janë plotëisht në linjë me Rusinë për Ukrainën.
"Pusi është helmuar nga dezinformatat kineze dhe ruse - është e dëmshme,"- ka thënë Rubin, ndërsa ka shtuar se gjashtë javë pas punës së bërë, ai nuk ka pasur qëllim vetëm përgënjeshtrimin masiv të këtyre dezinformatave, por edhe të bënte ofensivë aktive, duke u kërkuar vendeve që të mos strehojnë ata që janë të ekspozuar për përhapjen e tyre.
Sipas The Guardian, Rubin ka pretenduar se Rusia dhe Kina janë duke shpenzuar miliarda dollarë në përpjekje për të manipuluar informacionin, duke thënë se Pekini është duke shpenzuar më shumë se vetë Moska.
"Ne si komb dhe Perëndimi kemi qenë të ngadaltë për t'u përgjigjur dhe është një gjykim i drejtë që po përballemi me një sfidë shumë, shumë të madhe,"- ka thënë ai, duke shtuar se “rreshtimi midis Kinës dhe Rusisë është pothuajse i plotë”.
Ndër të tjera, ai ka njoftuar se Kina është duke përsëritur argumentet e Rusisë se “lufta në Ukrainë ka nisur për shkak të NATO-s”.
Rubin është pyetur edhe për artikujt e Shërbimit Botëror të BBC-së, duke thënë se, “nuk po ndihmonin në luftën kundër dezinformimit”.
“Drejtësia e BBC-së është një nga asetet më të mëdha të botës perëndimore. Nëse do të luftojmë kërcënimin e dezinformimit, i cili është real dhe më i keq nga sa kam menduar ndonjëherë, nga Kina, nga Rusia globalisht, do të kemi nevojë për unitet, ndarje aleate të punës. Ne do të kemi nevojë për veprime aleate të ngjashme me ato që pamë në epokat e mëparshme, dhe BBC është një pjesë e madhe e kësaj.”
Duke përsëritur paralajmërimin e administratës amerikane se bashkëpunimi midis Kinës dhe Rusisë mund të arrijë në nivel tjetër - furnizim me armë vdekjeprurëse për Moskën - Rubin ka shtuar se, shpresonte që njerëzit të mos e bënin të njëjtin gabim me Kinën, siç e kanë bërë me Rusinë.
Ai po ashtu ka pranuar zhgënjimin se “disa vende të jugut në botë as nuk mund të pranojnë se është një pushtim, e lëre më të vendosin se në anën e kujt janë”.
“Për disa vende afrikane, për disa vende aziatike, Ukraina është një luftë e largët. Ata besojnë se nuk marrin vëmendje të mjaftueshme nga perëndimi. Kjo i bën disa prej tyre ta shohin këtë luftë me atë përshtypje,”- ka thënë Rubin.

