Me shumicë dërrmuese, Kuvendi i Finlandës e miraton kanidaturën për NATO
Kuvendi i Finlandës ia dha bindshëm dritën e gjelbër të mërkurën kandidimit të vendit në NATO. Miratimi u bë me 184 vota “për” e vetëm shtatë “kundër”.
Votimi u iniciua nga qeveria e kryeministres Sanna Marin, e cila deshi që ky proces të përfundonte para zgjedhjeve të përgjithshme të 2 prillit, edhe pse dy anëtare të NATO-s – Turqia dhe Hungaria – ende nuk i kanë rafitikuar kandidaturat e Finlandës dhe Suedisë, raporton agjencia “Associated Press”.
Vendimet e legjislativit duhet të nënshkruhen nga presidenti Sauli Niinistro për t’u shndërruar në ligje. Presidenti ka premtuar se do ta kryejë këtë procedurë para zgjedhjeve parlamentare të prillit.
NATO-ja kërkon miratim të plotë nga anëtaret e saj për pranimin e anëtareve të reja. Shumica e kundërshtimit për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë vjen nga Turqia, e cila dëshiron masa më të fuqishme, kryesisht nga Suedia, kundër grupeve që Ankaraja i cilëson terroriste.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të martën në Helsinki se anëtarësimi i Finlandës dhe i Suedisë është prioriteti kryesor i aleancës dhe u bëri thirrje Turqisë e Hungarisë që urgjentisht ta ratifikojnë anëtarësimin e këtyre dy vendeve.
Turqia është pajtuar që t’i rifillojë bisedimet me Finlandën e Suedinë për anëtarësimin e tyre në NATO këtë muaj në Bruksel për t’i larguar pengesat dhe problemet që Ankaraja i ka vendosur, sidomos ndaj Suedisë.
Ndërkohë pritet që Kuvendi i Hungarisë ta fillojë diskutimin për ratifikimin e kandidaturave të Finlandës e Suedisë në NATO të mërkurën, ndërsa procesi planifikohet që të përfundojë në fund të këtij muaji.

