ShBA-ja thotë se Irani tashmë është përkrahësi kryesor ushtarak i Rusisë - NACIONALE

ShBA-ja thotë se Irani tashmë është përkrahësi kryesor ushtarak i Rusisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Iranit janë ngrohur derisa janë bërë bashkëpunim i plotë në fushën e mbrojtjes.

Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shteteve të Bashkuara, John Kirby, ka thënë se Rusia është duke ofruar një nivel të pashembullt të përkrahjes ushtarake.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë parë raporte se këto dy shtete janë duke e shqyrtuar prodhimin e përbashkët të dronëve vdekjeprurës, raporton televizioni BBC, përcjell Nacionale.

Bashkëpunimi mes Rusisë dhe Iranit është vënë në pah rishtazi, kur Ukraina e akuzoi Rusinë për përdorimin e dronëve iranianë gjatë sulmeve të saj.

Pasi fillimisht e kishte mohuar dërgimin e dronëve në Rusin, shteti i Lindjes së Mesme më vonë pranoi se i ka dhuruar disa dronë Moskës, por para fillimit të luftës në Ukrainë.

Kirby tha se bashkëpunimi i mundshëm mes Iranit e Rusisë për prodhimin e dronëve do të ishte i dëmshëm për Ukrainën, për fqinjët e Iranit dhe për komunitetin ndërkombëtar.

“Irani është bërë përkrahësi kryesor ushtarak i Rusisë... Rusia i ka përdorur dronët iranian për ta sulmuar infrastrukturën e energjisë, duke i lënë miliona ukrainas pa energji, ngrohje, shërbime kritike. Njerëzit në Ukrainë sot, në të vërtetë, po vdesin si rezultat i veprimeve të Iranit”- tha zëdhënësi amerikan.

Koment të ngjashëm ka dhënë edhe sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, i cili ka thënë se Irani është bërë njëri ndër përkrahësit kryesorë ushtarakë të Rusisë dhe se bashkëpunimi mes këtyre dy shteteve është duke e kërcënuar sigurinë globale.

Kryediplomati britanik ka thënë se pajtohet me Shtetet e Bashkuara për vlerësimin se përkrahja iraniane për ushtrinë ruse do të rritet në muajt e ardhshëm, pasi Rusia po mundohet që të sigurojë më shumë armë, përfshirë qindra raketa balistike.

Ukraina e ka akuzuar Iranin për furnizimin e Rusisë me të ashtuquajturit dronë kamikazë, të cilët janë përdorur në një varg sulmesh që shkaktuan të paktën tetë viktima më 17 tetor.

Pasi e kishte mohuar këtë akuzë, Irani më vonë kishte pranuar se ka dërguar “një numër të kufizuar” të dronëve në Rusi, “shumë muaj” para luftës në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se kjo është gënjeshtër dhe se Ukraina është duke rrëzuar rreth dhjetë dronë iranianë në ditë.

Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, në një deklaratë të publikuar të shtunën tha: “Furnizimi i Rusisë me dronë është dëshmi e rolit që Irani e luan në destabilizimin e sigurisë globale. Kjo listë vë në pah se ata që i ofrojnë përkrahje materiale Rusisë, do të ballafaqohen me pasoja.”

Lajme të ngjashme