Bideni thotë se ShBA-ja nuk do ta presë gjithmonë Iranin për marrëveshjen bërthamore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të enjten se vendi i tij nuk do ta presë gjithmonë Iranin për t’u bashkuar në marrëveshjen bërthamore, një ditë pasi tha se është i gatshëm që ta përdorë forcën si zgjedhje të fundit kundër Iranit, nëse është e nevojshme.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë e bëri këtë koment në një konferencë për gazetarë pas takimit me kryeministrin izraelit, Yair Lapid, me të cilin zhvilloi bisedë për të diskutuar rreth programit bërthamor të Iranit, që po zhvillohet shpejt.
“E kemi paraqitur për udhëheqësinë e Iranit atë që jemi të gatshëm ta pranojmë me qëllim të kthimit në marrëveshje. Po e presim përgjigjen e tyre. Nuk jam i sigurt se kur do të vijë ajo, por nuk do të presim përgjithmonë”, tha presidenti amerikan.
Të premten, Bideni do të udhëtojë drejt Arabisë Saudite, ndërsa në Izrael e theksoi rëndësinë që ky vend të bëhet “tërësisht i integruar” në rajon.
Në anën tjetër, kryeministri izraelit tha: “Diskutuam për rrezikun e Iranit. Nuk do të ketë Iran bërthamor.”
Zyrtarët izraelitë janë munduar që ta shfrytëzojnë vizitën e parë të Bidenit në Lindjen e Mesme që të theksojnë se programi bërthamor i Iranit ka përparuar shumë dhe që ta inkurajojnë administratën amerikane për të hequr dorë nga përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015, e cila ishte hartuar për t’ia kufizuar Iranit zhvillimin e këtij programi.
Në një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara thanë se janë të gatshme që t’i përdorin “të gjitha elementet e fuqisë kombëtare” që t’ia parandalojë Iranit prodhimin e bombës bërthamore.
Javën e kaluar, Irani njoftoi se e ka pasuruar uraniumin në nivelin e pastërtisë 60 për qind, që nënkupton se është vetëm një hap teknik larg arritjes së cilësisë së shkallës së armëve bërthamore.
Takimi i së enjtes me Bidenin mund të jetë mundësi për rritjen e përkrahjes për Lapidin, i cili është duke e ushtruar rolin e kryeministrit në detyrë deri në zgjedhjet e nëntorit.
Kundërshtari kryesor politik i Lapidit është ish-kryeministri, Benjamin Netanyahu, i cili do të garojë përsëri për postin e kryeministrit. Sipas anketave, partia e tij do ta fitojë numrin më të madh të ulëseve në zgjedhjet e ardhshme.
Presidenti amerikan pritet të takohet shkurtazi me Netanyahun, me të cilin ka pasur raporte të paqëndrueshme në të kaluarën.