ShBA-ja shqetësohet se Wagner-i mund t’ia japë Hezbollahut sistemin raketor rus, “SA-22 Pantsir” - NACIONALE

ShBA-ja shqetësohet se Wagner-i mund t’ia japë Hezbollahut sistemin raketor rus, “SA-22 Pantsir”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët amerikanë të inteligjencës raportohet se po shqetësohen për mundësinë që grupi paramilitar rus, “Wagner”, mund ta furnizojë Hezbollahun me sistemin e avancuar raketor të mbrojtjes ajrore, “SA-22 Pantsir”, duke rrezikuar që të hapë një front të dytë në luftën e këtij shteti kundër Hamasit.

Gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, raportoi të enjten se inteligjenca amerikane është duke i vëzhguar bisedat mes këtyre dy grupeve dhe beson se “Wagner”-i mund ta dërgojë sistemin SA-22 në Liban, edhe pse nuk beson se ndonjë dërgesë e tillë tashmë ka ndodhur.

Sistemi “SA-22 Pantsir” është bateri raketore për mbrojtje kundërajrore që mund të rrëzojë aeroplanë, helikopterë, dronë, raketa balistike e raketa me vetëdrejtim.

Mendohet se disa njësi të këtij sistemi janë dislokuar në Siri dhe raportohet se disa prej tyre janë shkatërruar nga sulmet izraelite në vitet e kaluara.

Në Siri ka prani të luftëtarëve të Hezbollahut e të grupit “Wagner”. Ata ishin dislokuar në Siri gjatë luftës së gjatë luftës civile për ta fuqizuar pushtetin e diktatorit Bashar al-Assad.

Të martën, Rusia i dënoi sulmet ajrore izraelite në Siri, duke i cilësuar si të papranueshme dhe duke paralajmëruar se ato paraqesin rrezik për përhapje të luftës Izrael – Hamas në konflikt më të gjerë rajonal.

Sidoqoftë, Moska e shpërfilli zjarrin nga Siria drejt Izraelit, që kishte ndodhur para sulmeve izraelite në Siri.

Duke folur me homologun sirian të martën, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e theksoi kundërshtimin e vendit të tij ndaj sulmeve izraelite në Siri dhe paralajmëroi kundër ndonjë veprimi që do të mund të provokonte eskalim “situatës së tanishme shpërthyese”, sipas një deklarate të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dikur aleat i ngushtë i Izraelit, ka qenë kritikues i ashpër i këtij shteti që nga fillimi i luftës me Hamasin, pasi marrëdhëniet mes dy vendeve ishin tensionuar për shkak të përkrahjes që Izraeli ia ka ofruar Ukrainës pas fillimit të pushtimit rus.

Lajme të ngjashme