ShBA-ja po i diskuton pagesat e majme për banorët e Grenlandës për t’i bindur që t’i bashkohen asaj
Zyrtarët amerikanë e kanë diskutuar dërgimin e pagesave të njëhershme me shuma të konsiderueshme për banorët e Grenlandës si pjesë e përpjekjeve për t’i bindur ata për t’u ndarë nga Danimarka e potencialisht për t’iu bashkuar ShBA-së, sipas katër burimeve të afërta me këtë çështje.
Edhe pse janë ende të paqarta shuma e saktë dhe logjistika e ndonjë pagese të mundshme, zyrtarët amerikanë, përfshirë disa ndihmës në Shtëpinë e Bardhë, kanë diskutuar numra prej 10 mijë deri në 100 mijë dollarë për person, thanë dy prej burimeve, të cilat kërkuan që të mbeteshin anonime, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ideja për t’i paguar drejtpërdrejt banorët e Grenlandës, territor i Mbretërisë së Danimarkës, ofron një shpjegim se si Uashingtoni mund të përpiqet që ta “blejë” ishullin me rreth 57 mijë banorë, pavarësisht nga këmbëngulja e autoriteteve në Danimarkë e Grenlandë se ishulli gjigant nuk është në shitje.
Kjo taktikë është në mesin e planeve të ndryshme që po diskutohen nga Shtëpia e Bardhë për marrjen e Grenlandës, përfshirë përdorimin e mundshëm të ushtrisë amerikane.
“Mjaft është mjaft… Jo më fantazi për aneksim” – shkroi të dielën në rrjetin “Facebook” kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, përsëri tha para gazetarëve se ShBA-së i duhet që ta marrë këtë ishull nën kontroll.
Të martën, Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja, Britania dhe Danimarka lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke thënë se vetëm Grenlanda dhe Danimarka mund të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes tyre.
Kur iu kërkua koment rreth diskutimeve për ta blerë ishullin, përfshirë mundësinë e pagesave të drejtpërdrejta për banorët e Grenlandës, Shtëpia e Bardhë e drejtoi agjencinë “Reuters” te komentet e sekretares për shtyp, Karoline Leavitt, dhe sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.
Gjatë një conference për gazetarë, zonja Leavitt pranoi se Trumpi dhe ndihmësit e tij për siguri kombëtare “po shqyrtojnë se si do të dukej një blerje e mundshme [e Grenlandës]. Kryediplomati Rubio tha se ai do të takohet me homologun danez javën e ardhshme në Uashington për të diskutuar rreth Grenlandës.
Ambasada e Danimarkës në Uashington refuzoi që të komentonte. Zyra përfaqësuese e Grenlandës në Uashington nuk iu përgjigj një kërkese për koment.