ShBA-ja planifikon të mbyllë disa konsullata në Evropë e ta zvogëlojë stafin e Departamentit të Shtetit - NACIONALE

ShBA-ja planifikon të mbyllë disa konsullata në Evropë e ta zvogëlojë stafin e Departamentit të Shtetit

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara është duke u përgatitur për mbylljen e një numri konsullatash që ndodhen kryesisht në Evropën Perëndimore në muajt e ardhshëm dhe po e shqyrton zvogëlimin e fuqisë së vet punëtore në nivel global, thanë disa zyrtarë amerikanë të enjten.

Departamenti i Shtetit gjithashtu po synon që potencialisht të bëjë bashkë një numër të byrove të veta të ekspertëve në selinë qendrore në Uashington, të cilët janë duke punuar në fusha si të drejtat e njeriut, refugjatët, drejtësia penale globale, çështjet e grave dhe përpjekjet për ta luftuar trafikimin e njerëzve, thanë zyrtarët, raporton gazeta “The Guardian”.

Agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi muajin e kaluar se misioneve diplomatike të ShBA-së përreth botës u është kërkuar që ta shqyrtojnë zvogëlimin e stafit amerikan e lokal për të paktën 10 për qind, përderisa presidenti Donald Trump e miliarderi Elon Musk kanë nisur përpjekje të pashembullta për zvogëlimin e kostove në mbarë fuqinë punëtore federale.

Presidenti republikan dëshiron që të sigurohet se burokracia e tij është e rreshtuar plotësisht me agjendën e tij “Amerika së pari”. Muajin e kaluar, ai lëshoi një urdhër ekzekutiv për ta rirregulluar shërbimin e jashtëm të ShBA-së me qëllim që të sigurohet zbatimi “besnik e efektiv” i agjendës së tij në politikën e jashtme.

Trumpi dhe Musku thonë se qeveria amerikane është tepër e madhe dhe se ndihma të financuara nga taksapaguesit amerikanë janë shpenzuar në mënyrë shpërdoruese e me mashtrime, përcjell gazeta "Nacionale".

Leipzigu, Hamburgu e Dusseldorfi në Gjermani, Bordoja e Starsburgu në Francë dhe Firenca në Itali janë në mesin e listës së konsullatave më të vogla mbylljen e të cilave po e shqyrton Departamenti i Shtetit, thanë tre zyrtarë, të cilët shtuan se kjo listë akoma mund të ndryshojë, pasi një pjesë e stafit po e mbron idenë që këto konsullata të qëndrojnë të hapura.

Zyrtarët thanë se Departamenti i Shtetit të hënën e kishte njoftuar Kongresin se planifikon që ta mbyllë konsullatën në qytetin Gaziantep të Turqisë, nga e cila Uashingtoni e ka mbështetur punën humanitare në pjesën veriore të Sirisë.

“Departamenti i Shtetit vazhdon që ta vlerësojë pozicionimin tonë global për t’u siguruar që jemi më së miri të vendosur për t’i adresuar sfidat moderne në emër të popullit amerikan” – tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Departamenti i Shtetit operon në më shumë se 270 misione diplomatike në mbarë botën me fuqi punëtore të përgjithshme prej afro 70 mijë njerëzish, sipas uebfaqes zyrtare./Nacionale

Lajme të ngjashme