ShBA-ja planifikon që t’i shesë Turqisë pajisje për aeroplanë F-16 për 259 milionë dollarë
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e njoftoi Kongresin të hënën për shitjen e planifikuar të pajisjeve softuerike për modernizimin e aeroplanëve luftarakë F-16 në Turqi përmes një marrëveshjeje me vlerë të 259 milionë dollarëve.
Marrëveshja, për të cilën së pari raportoi agjencia “Reuters” të hënën, është pjesë e shitjes së pakos së modernizimit për aeroplanët e Turqisë, pasi udhëheqësit e komisioneve të Kongresit e dhanë dritën e gjelbër në mënyrë joformale, raportoi kjo agjenci.
Megjithatë, një marrëveshje më e madhe, kërkesa e Turqisë për të blerë aeroplanë F-16 me vlerë të miliarda dollarëve, mbetet e lënë anash për shkak të kundërshtimeve të vazhdueshme në Kongres, raporton agjencia "Reuters".
Nëse shitja e pajisjeve pranohet në Kongres gjatë procesit formal të miratimit, kjo pako do të ishte shitja e parë e rëndësishme ushtarake për Turqinë që Kongresi e ka miratuar në vitet e fundit.
“Turqia është një aleate e gjatë dhe e çmuar e NATO-s. Administrata e Bidenit i përkrah përpjekjet e Turqisë për t’i mbajtur standarde pajisjet elektronike të flotës së aeroplanëve F-16”- thuhet në një deklaratë të një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit.
Zëdhënësi theksoi se pakoja e modernizimit do ta përmirësojë ndërveprimin mes sistemeve të Turqisë dhe të NATO-s përmes modernizimit të komunikimit dhe, gjithashtu, do të ofrojë modernfizim për fuqizimin e masave të sigurisë, si sistemi për shmangien e përplasjes në tokë.
Marrëveshja për shitjen e këtyre pajisjeve vjen pas miratimit të aplikimit të Finlandës për anëtarësim në NATO nga Turqia dhe pas shenjave të uljes së tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë para zgjedhjeve turke muajin e ardhshëm.
Kontraktori kryesor i marrëveshjes për shitjen e pajisjeve për aeroplanët F-16 do të jetë gjiganti amerikan, “Lockheed Martin Corp”.
Kjo marrëveshje është e ndarë nga shitja e propozuar e aeroplanëve të rinj F-16 prej 20 miliardë dollarësh dhe rreth 80 komplete modernizimi që Turqia i ka kërkuar në tetorin e vitit 2021.

