ShBA-ja paralajmëron se Rusia mund të kapë një qytezë kyçe të Ukrainës - NACIONALE

ShBA-ja paralajmëron se Rusia mund të kapë një qytezë kyçe të Ukrainës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Rusia mund ta marrë nën kontroll qytezën kyçe në lindje të Ukrainës, Avdiivka – skenë e disa prej luftimeve më të ashpra në luftë muajve të fundit.

“Avdiivka është në rrezik nga rënia në kontrollin rus” – tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Kirby, duke e përmendur mungesën e municionit në ushtrinë ukrainase, raporton televizioni BBC.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar për të bërë gjithçka “që të shpëtohen sa më shumë jetë ukrainase që është e mundshme”.

Trupat ruse kanë shënuar përparim në Avdiivka, duke paraqitur rrezik për rrethimin e këtij vendbanimi.

Qyteza, e cila është shkatërruar pothuajse tërësisht, është parë si portë drejt Donetskut, kryeqytet rajonal ukrainas i kapur nga luftëtarët e përkrahur nga Rusia më 2014 e më vonë i aneksuar në mënyrë jolegjitime nga Moska.

Në një konferencë të enjten në Uashington, Kirby tha se Avdiivka mund të bjerë kryesisht “për shkak se forcat ukrainase në terren po mbesin pa municion artilerie”.

“Rusia po dërgon valë pas vale forca rekrutësh për t’i sulmuar pozicionet ukrainase dhe për shkak se Kongresi (i ShBA-së) ende nuk e ka miratuar projektligjin plotësues, ne nuk kemi mundur që t’i ofrojmë Ukrainës predha artilerie që janë të nevojshme në mënyrë dëshpëruese për t’i penguar këto sulme ruse” – deklaroi zyrtari amerikan.

“Forcat ruse tani po i arrijnë llogoret ukrainase në Avdiivka dhe ato po fillojnë që t’i dërrmojnë mbrojtjet ukrainase” – shtoi Kirby.

Ukraina varet në mënyrë kritike nga furnizimi me armë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë perëndimorë që të mund ta vazhdojë luftën kundër Rusisë – forcë shumë më e madhe ushtarake me municion të bollshëm artilerie.

Më herët këtë javë, Senati i ShBA-së miratoi një pako të ndihmave të jashtme me vlerë të 95 miliardë dollarëve, përfshirë 60 miliardë dollarë për Ukrainën, por projektligji duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve, ku shumicën e ulëseve e ka Partia Republikane në opozitë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi të enjten se dështimi i ShBA-së për të miratuar asistencë të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën tashmë është duke pasur një ndikim në fushën e betejës.

Të enjten vonë, gjenerali ukrainas, Oleksandr Tarnavsky, pranoi se “beteja të ashpra” po ndodhnin “brenda” Avdiivka-s.

“Ne çmojmë secilën pjesë të tokës ukrainase, por vlera dhe prioriteti më i lartë për ne është ruajtja e jetës së një ushtari ukrainas” – tha ai.

Më herët të enjten, zëdhënësi ushtarak ukrainas, Dmytro Lykhoviy, pranoi se trupat ukrainase në Avdiivka po detyroheshin që “nganjëherë të lëvizin në pozicione më të favorshme... në disa vende duke lënë pozicione”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme