ShBA-ja njofton mbi 3,75 miliardë dollarë ndihma të reja ushtarake për Ukrainën e vende të tjera - NACIONALE

ShBA-ja njofton mbi 3,75 miliardë dollarë ndihma të reja ushtarake për Ukrainën e vende të tjera

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë më shumë se 3,75 miliardë dollarë asistencë ushtarake për Ukrainën dhe vendet e prekura nga lufta e Rusisë në këtë shtet, njoftoi sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken.

Kryediplomati amerikan tha në një deklaratë se Uashingtoni do t’i japë Ukrainës automjete luftarake të këmbësorisë, “Bradley”, obusë vetëlëvizës, automjete të blinduara për transportimin e personelit, raketa tokë – ajër, municion dhe prodhime të tjera, raporton agjencia “Reuters”.

Kjo pako e shfrytëzon sasinë më të madhe të mjeteve – 2,8 miliardë dollarë – nga Autoriteti Presidencial për Tërheqje që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, tha sekretarja për medie e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Ky autoritet ua lejon Shteteve të Bashkuara marrjen e prodhimeve ushtarake, si automjetet “Humvee”, kamionët dhe municionet, nga rezervat me procedurë të përshpejtuar, pa miratimin e Kongresit, në raste urgjente.

Jean-Pierre tha se në mesin e ndihmave përfshihen automjetet rezistente ndaj minave, sistemet raketore me vetëdrejtim, raketat tokë- ajër, minat tokësore kundër automjeteve dhe municioni.

Ukrainës do t’i dërgohen edhe raketat e tipit “RIM-7 Sea Sparrow”. Këto raketa do të hidhen nga sistemet “Buk”, sistem i periudhës sovjetike, që Ukraina është duke e përdorur.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka theksuar nevojën për mbrojtje më të mirë ajrore për t’i zmbrapsur sulmet ruse me raketa, të cilat e kanë dëmtuar infrastrukturën e energjisë gjatë dimrit.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë zotuar edhe për dhurimin e sistemeve raketore “Patriot” për t’i zmbrapsur sulmet ruse me raketa dhe dronë.

“Kjo pako e posaçme e Autoritetit Presidencial për Tërheqje dhe automjetet luftarake “Bradley” janë shumë domethënëse në aspektin që janë të afta për ta bërë atë që ne e quajmë luftim me manovra të kombinuara të armëve”- th John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

“Luftimet në lindje, sidomos në rajonin e Donbasit, kanë qenë veçanërisht të egra në javët e fundit dhe shohim çdo shenjë se rusët vazhdojnë ta duan shumimin e përpjekjeve të tyre në Donbas, sidomos përreth Bakhmut-it”- shtoi Kirby.

Sekretarja për medie, Jean-Pierre, tha se përpos armëve, në ndihma përfshihen 225 milionë dollarë si Financim i Huaj Ushtarak për ta ndihmuar Ukrainën që ta ndërtojë dhe ta modernizojë ushtrinë e vet.

Sipas saj, në këtë pako përfshihen edhe 682 milionë dollarë shtesë për “partnerët rajonalë dhe aleatët në krahun lindor të NATO-s” për t’i inkurajuar ata që i kanë dhënë armë Ukrainës, që t’i japin edhe më shumë. Fondet amerikane mund të përdoren që këto shtete të blejnë pajisje zëvendësuese.

Lajme të ngjashme