ShBA-ja kryen sulme të reja ajrore në Jemen, rebelët raportojnë për 12 të vrarë - NACIONALE

ShBA-ja kryen sulme të reja ajrore në Jemen, rebelët raportojnë për 12 të vrarë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet ajrore të forcave amerikane, në shënjestër të të cilave ishte kryeqytetit i Jemenit, Sanaa, lanë të vrarë 12 njerëz dhe plagosën 30 të tjerë, thanë të hënën rebelët Houthi.

Këto vdekje e shënojnë shifrën më të re të viktimave në fushatën e intensifikuar të sulmeve nga forcat amerikane, në shënjestër të të cilave janë rebelët. Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve për sulmin ose të diskutonte për viktimat civile nga fushata e saj, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Rebelët Houthi thanë se nga sulmi u godit tregu i lagjes Farëa në distriktin Shuub të qytetit Sanaa. Kjo zonë ka qenë në shënjestër të forcave amerikane edhe në të kaluarën.

Në pamje të transmetuara nga kanali satelitor i lajmeve, “al-Masirah”, shfaqej dëmi ndaj veturave dhe ndërtesave në zonë. Disa njerëz u shfaqën duke bërtitur e duke mbajtur një trup që dukej si një fëmijë i vdekur.

Nga sulmet gjatë natës mes së dielës e të hënës u goditën edhe zona të tjera të vendit, përfshirë distriktet Amran, Hodeida, Marib dhe Saada.

Këto sulme vijnë pasi forcat amerikane kryen sulme ajrore në portin Ras Isa të Jemenit javën e kaluar, duke vrarë të paktën 74 njerëz e duke plagosur 171 të tjerë./Nacionale

Lajme të ngjashme