ShBA-ja ka kërkuar privatisht nga Izraeli që të mos nisë luftë me Hezbollahun
Administrata e presidentit Joe Biden të Shteteve të Bashkuara i ka bërë thirrje Izraelit që të mos nisë fushatë ushtarake kundër Hezbollahut, përderisa Uashingtoni po punon që ta parandalojë zgjerimin e konfliktit në Gaza, i thanë të mërkurën gazetës “The Times of Israel” dy zyrtarë të afërt me këtë çështje.
Shtetet e Bashkuara e njohin nevojën që Izraeli duhet t’u kundërpërgjigjet shënjestrimeve të shtuara të kufirit të tij verior nga Hezbollahu që nga sulmi shokues i Hamasit më 7 tetor, sqaruan zyrtarët.
Megjithatë, sulmet e përsëritura nga Hezbollahu dhe fakti që Izraeli ka dështuar që ta parashikonte sulmin brutal të Hamasit nga Gaza kanë çuar në shtimin e diskutimeve nëse Izraeli duhet të jetë ai që duhet të nisë një betejë kundër Hezbollahut.
Biseda të tilla kanë qenë shkak për shqetësim për Shtetet e Bashkuara, të cilat publikisht e privatisht i kanë paralajmëruar Hezbollahun e Iranin që të mos nisin luftë në frontin verior të Izraelit, shtuan zyrtarët.
Sipas tyre, Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Izraelin që të jetë i kujdesshëm gjatë kundërpërgjigjes ushtarake ndaj zjarrit të Hezbollahut, duke sqaruar se një gabim i ushtrisë izraelite në Liban do të mund të nxiste një luftë shumë më të madhe.
Zyrtarët e Bidenit i kanë dhënë shenja Izraelit ditëve të fundit se nëse Hezbollahu nis luftë kundër Izraelit, ushtria amerikane do t’i bashkohet ushtrisë izraelite në luftën kundër këtij grupi, thanë më tej zyrtarët.
Hezbollahu ka hedhur dhjetëra raketa kundërtanke e mortaja drejt pozicioneve të ushtrisë izraelite nga 7 tetori, kur kishte nisur sulmi i Hamasit, si dhe ka dërguar persona të armatosur në përpjekje për të hyrë në Izrael. Disa dronë gjithashtu janë penguar në pjesën veriore të Izraelit.
Të paktën pesë ushtarë izraelitë, 13 militantë të Hezbollahut e pesë palestinezë të grupeve të tjera janë vrarë gjatë përleshjeve. Një civil izraelit u vra nga një sulm i Hezbollahut të dielën, ndërsa raportohet edhe për dy civilë libanezë e një gazetar të vrarë nga predhat izraelite.
