ShBA-ja ia pezulloi, por një shtet i fuqishëm evropian thotë se po i ofron Ukrainës inteligjencë - NACIONALE

ShBA-ja ia pezulloi, por një shtet i fuqishëm evropian thotë se po i ofron Ukrainës inteligjencë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një ditë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se e kanë pezulluar ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën, ministri i Mbrojtjes i Francës, Sebastien Lecornu, tha të enjten se vendi i tij është duke ndarë informacione të inteligjencës me Kievin.

Shtetet e Bashkuara po e shtyjnë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të bashkëpunojë rreth planit të homologut Trump për organizimin e bisedimeve të paqes me Rusinë, e cila e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne kemi burime të inteligjencës që i përdorim për t’i ndihmuar ukrainasit” – tha ministri Lecornu në radion “France Inter”, përcjell gazeta "Nacionale".

“Ajo është pezulluar nga pasditja e djeshme” – shtoi ai, duke iu referuar ndarjes së të dhënave të inteligjencës amerikane me Ukrainën. “Mendoj se për miqtë tanë britanikë, të cilët janë në një komunitet të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara, kjo është më e ndërlikuar” – tha më tej ministri francez.

Lecornu gjithashtu tha se rezervat e armëve bërthamore të Francës, të zhvilluara në ditët e hershme të Luftës së Ftohtë dhe të dizajnuara për të qenë të pavarura nga fuqitë atëherë mbizotëruese, Uashingtoni e Moska, janë të mjaftueshme.

Të mërkurën, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij është i hapur për ta diskutuar zgjerimin e mbrojtjes me arsenalin e tij bërthamor për partnerët evropianë përballë rrezikut me të cilin Evropa ballafaqohet nga Rusia.

Ai foli para një samiti të udhëheqësve evropianë në Bruksel, ku pritet të diskutohet kryesisht rreth mbrojtjes dhe Ukrainës./Nacionale

Lajme të ngjashme