ShBA-ja ia ndërpreu një pjesë të inteligjencës Izraelit gjatë pushetit të Bidenit
Zyrtarët amerikanë të inteligjencës përkohësisht e kishin pezulluar ndarjen e disa të dhënave kyçe me Izraelin gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden për shkak të shqetësimeve rreth veprimeve të këtij shteti në luftën e Gazës, sipas gjashtë personave të afërt me çështjen.
Në pjesën e dytë të vitit 2024, Shtetet e Bashkuara kishin ndërprerë një transmetim të drejtpërdrejtë me video nga një dron amerikan mbi Gaza, i cili po përdorej nga Qeveria e Izraelit në operacionin për të kërkuar pengje dhe militantë të Hamasit. Pezullimi zgjati për të paktën disa ditë, thanë pesë prej burimeve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu vendosën kufizime në lidhje me atë se si Izraeli mund të përdorte të dhëna të caktuara të inteligjencës gjatë ndjekjes së caqeve ushtarake me vlerë të lartë në Gaza, thanë dy prej burimeve, të cilat refuzuan që të saktësonin se kur ishte marrë ky vendim.
Vendimet kishin ardhur pas thellimit të shqetësimit në komunitetin amerikan të inteligjencës për numrin e civilëve të vrarë gjatë operacioneve ushtarake izraelite në Gaza. Zyrtarët gjithashtu ishin të shqetësuar se agjencia izraelite për inteligjencë të brendshme, Shin Bet, po i keqtrajtonte të burgosurit palestinezë, thanë burimet, të cilat folën në kushte anonimiteti.
Përderisa administrata e Bidenit mbajti në fuqi një politikë të mbështetjes së vazhdueshme për Izraelin, edhe me ndarje të inteligjencës, edhe të armëve, vendimi brenda agjencive të inteligjenvës për të mbajtur ca informata pa i shpërndarë ishte i kufizuar dhe taktik, thanë dy prej burimeve. Zyrtarët synonin që të siguroheshin se Izraeli po i përdorte të dhënat e inteligjencës amerikane në pajtim me ligjet e luftës, thanë burimet.
Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i përcaktonte datat e këtyre vendimeve ose nëse presidenti i atëhershëm, Joe Biden, ishte i vetëdijshëm për to. Një person i afërt me çështjen tha se zyrtarët e inteligjencës kanë hapësirë për të marrrë disa vendime rreth ndarjes së të dhënave të inteligjencës në kohë reale, pa një urdhër nga Shtëpia e Bardhë.
Ndarja e të dhënave të inteligjencës rinis, pasi Izraeli ofroi garanci se do t’i ndiqte rregullat amerikane.
Zyra e kryeministrit izraelit, e cila e mbikëqyr agjencinë Shin Bet, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Nuk u përgjigjën as CIA dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, e cila e mbikëqyr fushën e inteligjencës./Nacionale