ShBA-ja i ofron Polonisë hua prej dy miliardë dollarësh për ta modernizuar ushtrinë - NACIONALE

ShBA-ja i ofron Polonisë hua prej dy miliardë dollarësh për ta modernizuar ushtrinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Administrata e presidentit Biden të Shteteve të Bashkuara njoftoi të hënën se do t’i ofrojë Polonisë një hua prej dy miliardë dollarësh për ta mbështetur modernizimin e ushtrisë së vendit aleat, që ka qenë qendër e dërgimit të armëve në Ukrainë.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së tha në një deklaratë se Polonia është aleate e fuqishme e e Shteteve të Bashkuara, siguria e të cilës është “jetike për mbrojtjen kolektive” të krahut lindor të NATO-s dhe se këto fonde janë të rezervuara për partnerët më të rëndësishëm të sigurisë të Uashingtonit, raporton agjencia “Associated Press”.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara do t’i ofrojë Polonisë edhe deri në 60 milionë dollarë për koston e huasë në Financimin e Jashtëm Ushtarak, që do t’i mbështesin “sigurimet urgjente të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes nga Shtetet e Bashkuara”, tha Departamenti i Shtetit. 60 milionë dollarët janë subvencionim i borxhit me qëllim të garantimit që Varshava të sigurojë kushte të favorshme për huan.

Polonia ka qenë përkrahëse e palëkundur e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus, duke i dhuruar shumë tanke, aeroplanë luftarakë dhe pajisje të tjera. Polonia ka qenë edhe qendër e kalimit të armëve perëndimore për në Ukrainë.

Varshava i është nënshtruar një procesi të modernizimit të ushtrisë për t’i zëvendësuar pajisjet që i ka dhuruar, shumë prej të cilave ishin të mbështetura në teknologji të vjetër sovjetike, duke bërë porosi për blerje në kompani të mbrojtjes nga ShBA-ja dhe Koreja e Jugut.

Rishtazi, marrëdhëniet mes Polonisë dhe Ukrainës janë tensionuar për shkak të një mosmarrëveshjeje për eksportimin e drithit ukrainas në tregun polak. Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka thënë se vendi i tij nuk do t’i dhurojë më armë Ukrainës.

Zyrtarët amerikanë janë munduar që ta qetësojnë mosmarrëveshjen, duke e çmuar rolin e Polonisë për ndihmën ndaj Ukrainës dhe duke theksuar se është në interesin strategjik të Polonisë që Ukraina të ngadhënjejë kundër Rusisë.

Lajme të ngjashme