ShBA-ja e vetme kundër rezolutës së OKB-së për armëpushim në Gaza, kritikohet ashpër
Shtetet e Bashkuara i kanë sfiduar thirrjet nga aleatët arabë dhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, për të mbështetur një rezolutë për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, duke thënë në Këshill të Sigurimit se kjo masë thjesht do t’i mbillte farat e një lufte të ardhshme.
ShBA-ja e përdori veton për ta bllokuar rezolutën e OKB-së me të cilën bëhej thirrje për armëpushim në Gaza pavarësisht nga paralajmërimi dramatik i Guterresit se rendi civil në enklavën palestineze po zhbëhet dhe se ka rrezik të shtuar për eksod masiv të popullsisë drejt Egjiptit.
Nga 15 shtete që janë anëtare në Këshillin e Sigurimit, 13 prej tyre e mbështetën rezolutën për armëpushim në Gaza, Shtetet e Bashkuara votuan kundër, ndërsa Britania e Madhe abstenoi, raporton gazeta “The Guardian”.
Robert Wood, që e përfaqësoi ShBA-në në Këshillin e Sigurimit, tha se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga qëllimi për ta zhbërë Hamasin, duke shpjeguar se Shtetet e Bashkuara duan “që ta thyejnë ciklin e dhunës së pandërprerë në mënyrë që historia të mos e përsëritë veten”.
Ai shtoi se një armëpushim tani “vetëm do t’i mbillte farat për luftën e ardhshme, sepse Hamasi nuk dëshiron që të shoh paqe jetëgjatë. Qëllimi ynë nuk duhet të jetë që ta ndalim luftën për sot, por ta ndalim luftën përgjithmonë.”
Hamasi e dënoi kundërshtimin e rezolutës nga Shtetet e Bashkuara, duke e quajtur “joetik dhe çnjerëzor” këtë veprim.
Pas votimit, zëvendësambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Abushahab, paralajmëroi se Këshilli i Sigurimit po bëhet i izoluar dhe “duket i palidhur” me mandatin e vet për të siguruar paqe e siguri ndërkombëtare.
“Cila është porosia që po ua dërgojmë palestinezëve, nëse ne nuk mund të bashkohemi prapa një thirrjeje për ta ndalur bombardimin e pamëshirshëm të Gazës? Vërtet, cila është porosia që po ua dërgojmë civilëve në mbarë botën, të cilët mund ta shohin veten në situata të ngjashme”- tha ai.
Organizata e njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch”, tha se ShBA-ja rrezikon që të ketë “bashkëfajësi në krime lufte” përmes vazhdimit të furnizimit të izraelit me armë e me mbrojtje diplomatike, përderisa ky vend kryen “mizori, përfshirë ndëshkimin kolektiv të popullsisë civile palestineze në Gaza”.
Organizata “Mjekët pa Kufij” tha se mosveprimi nga Këshilli i Sigurimit e bën këtë organ “bashkëfajtor në masakrën e vazhdueshme”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili e kishte shfrytëzuar Nenin 99 të Kartës së OKB-së për ta sjellë në fokus situatën në Gaza, duke rikujtuar se mbi 130 pjesëtarë të stafit të organizatës janë vrarë, tha: “Sytë e botës – dhe sytë e historisë – janë duke shikuar. Është koha që të veprohet.”
Ambasadori i Francës në OKB, Nicolas De Riviere, i cili e mbështeti rezolutën, bëri apel për “një armëpushim të ri, të menjëhershëm e të gjatë që do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm”. Japonia, aleate e ngushtë e ShBA-së, gjithashtu e mbështeti këtë rezolutë.