ShBA-ja e Rusia planifikojnë një takim të ri këtë javë - NACIONALE

ShBA-ja e Rusia planifikojnë një takim të ri këtë javë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ekipet amerikane e ruse planifikojnë të takohen këtë javë për ta diskutuar përmirësimin e marrëdhënieve, pasi lufta në Ukrainë i ka rrëzuar raportet mes tyre në nivelin më të keq që nga Lufta e Ftohtë, tha të dielën një diplomat i lartë rus.

Pasi forcat ruse avancuan vitin e kaluar me ritmin më të shpejtë në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 2022, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se dëshiron që të sigurojë një marrëveshje të paqes për t’i dhënë fund luftës nga e cila thotë se janë vrarë shumë njerëz, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, biseduan më 12 shkurt rreth përmirësimit të marrëdhënieve dhe përfundimit të luftës, ndërsa zyrtarë amerikanë e rusë u takuan në Riad të Arabisë Saudite më 18 shkurt për të njëjtat tema.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Ryabkov, njeriu kryesor i Moskës për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, tha se një takim në nivelin e shefave të departamenteve do të zhvillohet në fund të javës.

“Ne jemi të hapur për kontakte me palën amerikane, në veçanti, mbi çështjet irrituese në marrëdhëniet dypalëshe” – citohet të ketë thënë zëvendësministri rus.

“Po presim për progres të vërtetë, kur të mbahet takimi i caktuar për fundin e javës që po vjen” – shtoi ai të dielën.

Më 12 shkurt, Trumpi tha se nuk është praktike që Ukraina ta marrë anëtarësimin në NATO dhe se ai ka parë për deklaratën e sekretarit të Mbrojtjes të ShBA-së, Pete Hegseth, se nuk është reale që Ukraina të kthehet në kufijtë e vitit 2014.

Kur lufta po hyn në vitin e katërt, Rusia ka nën kontroll gati një të pestën e territorit të Ukrainës, përfshirë Krimenë që Rusia e ka aneksuar më 2014.

Në qershorin e vitit të kaluar, Putini i caktoi kushtet për përfundimin e luftës: Ukraina duhet zyrtarisht të heqë dorë nga ambicia e saj për anëtarësim në NATO dhe t’i tërheqë trupat nga tërësia e territorit të katër rajoneve ukrainase të cilat Moska pretendon se i ka aneksuar./Nacionale

Lajme të ngjashme