ShBA-ja e lëshon pakon e fundit të ndihmës për Ukrainën, s’ka të tjera pa miratim nga Kongresi
Shtëpia e Bardhë ka miratuar një pako tjetër të ndihmës ushtarake për Ukrainën me vlerë të rreth 250 milionë dollarëve.
Në pakon e re përfshihen pajisje të mbrojtjes ajrore, municion për armë të vogla e artileri si dhe armë kundërtanke, thonë zyrtarët amerikanë.
Megjithatë, ky është financimi i fundit në dispozicion për Ukrainën pa miratim të ri nga Kongresi, ku bisedimet mes pushtetit e opozitës kanë ngecur, raporton televizioni BBC.
Ukraina ka paralajmëruar se përpjekjet e luftës dhe financat e saj publike janë në rrezik, nëse nuk mbështetet me ndihmë të mëtejmë nga Perëndimi.
Në kohën e një kundërsulmi të ngecur në lindje të vendit dhe me një ndryshim të vogël në vijën e frontit, zyrtarët ukrainas po ballafaqohen me mundësinë e ngadalësimit të rrjedhës së ndihmave nga aleatët në Uashington e Evropë.
Edhe pse lufta e Ukrainës ka përkrahje të gjerë në Kongresin e ShBA-së, marrëveshja për armë të reja është parandaluar nga disa republikanë, të cilët këmbëngulin që masa më të ashpra të sigurisë në kufirin ShBA – Meksikë duhet të jenë pjesë e çfarëdo marrëveshjeje për ndihma shtesë për Ukrainën.
Një masë urgjente për shpenzime, me të cilën do t’u ofroheshin Ukrainës 50 miliardë dollarë e Izraelit 14 miliardë dollarë, u rrëzua në Senat më herët këtë muaj. Të gjithë senatorët republikanë votuan kundër kësaj mase, bashkë me Bernie Sanders-in, anëtar i pavarur, i cili zakonisht voton si demokratët, por shprehu shqetësim për luftën e Izraelit kundër Hamasit.
As një vizitë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas dështimit të këtij votimi nuk arriti rezultate domethënëse për t’ua ndryshuar mendjen ligjvënësve opozitarë amerikanë.
Me vendimin e së mërkurës, armët do të merren nga rezervat aktuale të Pentagonit, veprim që nuk ka nevojë të miratohet nga Kongresi.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha në deklaratën për njoftimin e pakos se është “urgjente që Kongresi të veprojë shpejt, sa më shpejt që është e mundshme, për t’i avancuar interesat tona kombëtare përmes ndihmës për Ukrainën që ta mbrojë veten dhe ta sigurojë të ardhmen e saj”.
Më herët këtë muaj, një pako 50-miliardëshe e ndihmave nga BE-ja për Ukrainën u bllokua nga Hungaria.