ShBA-ja e gatshme të heqë dorë nga ndërmjetësimi i paktit të paqes Ukrainë – Rusi, thotë Rubio
Shtetet e Bashkuara do t’i ndërpresin përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes mes Rusisë e Ukrainës brenda ditëve, nëse nuk ka shenja të qarta se një pakt mund të arrihet, tha të premten sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio.
Duke folur në Paris pas takimit me udhëheqës evropianë e ukrainas, kryediplomati amerikan tha se presidenti Donald Trump ende është i interesuar për një marrëveshje, por se Uashingtoni ka shumë prioritete të tjera në botë dhe është i gatshëm që të ecë tutje, nëse nuk ka shenja të progresit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Nëse nuk është e mundshme që t’i jepet fund luftës në Ukrainë, ne do të ecim tutje” – tha Rubio para gazetarëve para se të largohej nga Parisi, transmeton gazeta "Nacionale".
“Na duhet të përcaktojmë shumë shpejt tani dhe unë po flas për çështje ditësh, për atë nëse kjo është e realizueshme apo jo” – paralajmëroi sekretari amerikan.
Komentet e zyrtarit të lartë të administratës së Trumpit vijnë një ditë pasi ai dhe emisari i posaçëm, Steve Witkoff, u takua me aleatë evropianë e ukrainas, përderisa Uashingtoni po bën shtytje për t’i dhënë fund konfliktit.
Rubio tha se ai dhe Witkoff-i kishin shkuar në Paris për të “filluar së biseduari për përvijime më specifike për atë se çfarë mund të nevojitet për ta përfunduar luftën” dhe për atë nëse kjo është një luftë që mund t’i jepet fund.
“Nëse kjo s’është e mundshme, nëse ne jemi aq larg, saqë kjo nuk do të ndodhë, atëherë mendoj se presidenti (Trump) ndoshta është në një pikë kur do të thotë se ne e kryem” – shtoi kryediplomati amerikan.
“Nuk është lufta jonë. Ne nuk e nisëm atë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë duke e ndihmuar Ukrainën gjatë tri viteve të fundit dhe duam që kjo (luftë) të marrë fund, por ajo s’është lufta jonë” – tha më tej Rubio./Nacionale