ShBA-ja e Filipinet i nisin ushtrimet e përbashkëta detare
Forca detare filipinase tha se një grup betejash i forcave kineze me aeroplanmbajtëse ka kaluar afër kufijve të saj veriorë në prag të ushtrimeve detare gjashtëditore me Shtetet e Bashkuara, të cilat filluan të enjten si pjesë e ushtrimeve ushtarake vjetore “Balikatan”.
Ushtrimet e bashkërenduara detare, të përqendruara në forcimin e ndërveprueshmërisë, vetëdijen në fushën detare dhe sigurinë rajonale, do të kryhen brenda ujërave të Filipineve, tha ushtria e këtij shteti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Japonia dhe partnerë të tjerë rajonalë po marrin pjesë gjithnjë më shumë në ushtrimet e quajtura “Balikatan”, që në gjuhën shqipe do të thotë “krah për krah”, në kohën e tensioneve me Kinën në Detin Jugor të Kinës dhe përreth Tajvanit. Një anije e forcave detare japoneze do të jetë pjesë e ushtrimeve.
Zëdhënësi i forcave detare filipinase për Detin Jugor të Kinës, Roy Vincent Trinidad, të enjten e konfirmoi faktin se të martën herët u vërejt grupi kinez i betejave rreth 100 milje detare larg Burgos-it.
Forcat detare filipinase thanë se ky zhvillim, edhe pse u vëzhgua për së afërmi, nuk konsiderohet alarmues. Prapëseprapë, koha e kalimit të anijeve luftarake kineze e nënvizon peshën strategjike të ushtrimeve “Balikatan”, të cilat janë zgjeruar në shkallë e në kompleksitet viteve të fundit.
Më shumë se 14 mijë ushtarë filipinas e amerikanë do të marrin pjesë në ushtrimet e këtij viti, të cilat mbahen nga data 21 prill deri më 9 maj./Nacionale