ShBA-ja e dënon ushtarin që kishte hyrë në Kore të Veriut
Ushtari amerikan, Travis King, që vitin e kaluar kishte hyrë në Kore të Veriut nga Koreja e Jugut dhe ishte dërguar në ndalim, të premten u dënua me një vit burgim, pastaj u lirua për shkak se tashmë e ka vuajtur dënimin, tha në një deklaratë avokati i tij.
Ai u deklarua fajtor për pesë akuzat dhe seanca u mbajt në Fort Bliss të Teksasit, raporton agjencia “Reuters”.
Ushtria amerikane e kishte akuzuar Kingun për idisa krime, përfshirë dezertimin, pasi në korrik të vitit 2023 kishte hyrë me vrap në territorin e Koresë së Veriut. Ai akuzohej edhe për sulm kundër shokëve ushtarë dhe kërkim të pornografisë me fëmijë.
Ai ishte akuzuar nga ushtria për 14 shkelje sipas Kodit të Përbashkët të Drejtësisë Ushtarake, pas lirimit të tij nga Koreja e Veriut në shtator të vitit të kaluar pas bisedimeve prapa dyerve të mbyllura. Autoritetet i hodhën poshtë nëntë pika të akuzës, pasi ushtari e kishte pranuar fajin për pesë të tjera.
“Pasi koha [e dënimit] tashmë është vuajtur dhe me vlerësim për sjellje të mirë, Travisi tani është i lirë dhe do të kthehet në shtëpi” – tha avokati i tij.