ShBA-ja dislokon raketahedhës “Typhon” me raketa “Tomahawk” në një vend të ri në Filipine
Ushtria amerikane i ka zhvendosur raketahedhësit “Typhon” – të cilët mund të hedhin raketa shumëqëllimëshe me mijëra kilometra larg – nga fusha ajrore Laoag në Filipine në një pozicion tjetër në ishullin Luzon, tha një burim i lartë qeveritar filipinas.
Raketat me drejtim “Tomahawk” në këta raketahedhës mund të goditin caqe nga Filipinet edhe në Kinë, edhe në Rusi. Raketat SM-6, të cilët gjithashtu i bart ky sistem raketor, mund të godasin caqe ajrore ose detare më shumë se 200 kilometra larg, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Burimi i lartë qeveritar filipinas tha se ridislokimi do të ndihmojë për të përcaktuar se si dhe sa shpejt do të mund të vendosej bateria raketore në një pozicion të ri për qitje. Kjo lëvizshmëri shihet si mënyrë për t’i bërë bateritë më të mbijetueshme gjatë një konflikti.
Në pamje satelitore shihen bateritë dhe pajisjet e tyre përcjellëse duke u ngarkuar në një aeroplan transportues C-17 në Aeroportin Ndërkombëtar Laoag në javët e fundit, tha Jeffrey Lewis nga Instituti Middlebury për Studime Ndërkombëtare.
Sistemi “Typhon” është pjesë e një plani të Shteteve të Bashkuara për të grumbulluar lloje të ndryshme të armëve kundër anijeve në Azi.
Komanda e Indo-Paqësorit, e cila i mbikëqyr forcat amerikane në atë rajon, i tha agjencisë “Reuters” se raketahedhësit “Typhon” janë “rivendosur brenda Filipineve”. Edhe Komanda e Indo-Paqësorit, edhe Qeveria e Filipineve refuzuan që ta tregonin vendin e saktë ku janë vendosur bateritë raketore.
Ky lloj arme kishte nxitur kritika të ashpra nga Kina, kur ishte dislokuar për herë të parë në prill të vitit 2024 gjatë një ushtrimi. Në shtator, kur Shtetet e Bashkuara thanë se nuk kishin plane të menjëhershme për ta tërhequr sistemin “Typhon” nga Filipinet, Kina dhe Rusia e dënuan dislokimin, duke e cilësuar si nxitje të një gare për armë.
Ministria e Jashtme e Kinës të enjten i akuzoi Filipinet për krijim të tensioneve dhe konfrontimit në rajon dhe i bëri thirrje që “t’i korrigjojë praktikat e saj të gabuara”./Nacionale