ShBA-ja arreston një pakistanez, dyshohej se bënte komplot për të vrarë udhëheqës
Një burrë pakistanez me lidhje të dyshimta me Iranin është akuzuar për komplot për të vrarë udhëheqës dhe zyrtarë amerikanë.
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, e quajti skemën “komplot të rrezikshëm të vrasjes me porosi... drejtpërdrejt nga skenari iranian”, raporton televizioni BBC.
Asif Merchant, 46 vjeç, akuzohet se ka bërë përpjekje për të angazhuar një vrarës me pagesë në Nju-Jork për të vrarë zyrtarë të njohur amerikanë. Televizioni CBS citoi burime të kenë thënë se ish-presidenti Donald Trump ishte në mesin e shënjestrave.
Siguria për të nominuarin e republikanëve për zgjedhjet e nëntorit u shtua në qershor, pasi autoritetet kishin marrë vesh për një komplot iranian për vrasjen e tij.
“Një komplot i drejtuar nga jashtë për të vrarë një zyrtar publik, ose cilindo qytetar të ShBA-së, është kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare dhe do të përballet me fuqinë dhe burimet e plota të FBI-së” – tha të martën drejtori i kësaj agjencie.
Merchant-i u arrestua muajin e kaluar dhe është duke u mbajtur në ndalim në Nju-Jork.
Sipas aktakuzës së Departamentit të Drejtësisë, i dyshuari arriti në ShBA nga Pakistani në prill, pasi kishte kaluar kohë në Iran.
Pas arritjes në ShBA, dyshohet se ai kishte kontaktuar një person për të cilin besonte se mund ta ndihmonte në komplotin për vrasje. Personi i kontaktuar, emri i të cilit nuk është publikuar, më vonë e raportoi pakistanezin në polici.
Në aktakuzë thuhet se ky vend pune nuk do të ishte “mundësi që vjen një herë” dhe se shërbimet e kontaktit do të nevojiteshin në mënyrë të vazhdueshme.
Dyshohet se pakistanezi i kishte thënë personit që e kishte kontaktuar se planifikonte që të largohej nga ShBA-ja para se të vriteshin ata që ishin në shënjestër dhe se të dy do të qëndronin në kontakt duke përdorur fjalë të koduara.
Më tej, në aktakuzë thuhet se pakistanezi kërkoi nga personi i kontaktuar që të organizonte një takim me ata që do të ishin vrasësit. Personi i kontaktuar më pas e lidhi atë në qershor me agjentë të fshehtë të FBI-së, të cilit ishin paraqitur si vrasës me porosi.
Dyshohet se pakistanezi u kishte thënë agjentëve se duhej të vidhnin dokumente nga shtëpia e personit të shënjestruar, të organizonin protesta në tubime politike dhe të vrisnin “një person politik”.
Sipas aktakuzës, pakistanezi tha se emrat e personave që duhet të viheshin në shënjestër do të jepeshin në javën e fundit të gushtit ose në javën e parë të shtatorit.
Edhe pse në aktakuzë nuk përmendet emri i ish-presidentit Donald Trump, burimet e cituara nga televizioni CBS thanë se republikani ishte njëri nga shënjestrat.
Ky komplot nuk është i ndërlidhur me vrasjen në tentativë ndaj ish-presidentit në një tubim në Pensilvani më 13 korrik nga 20-vjeçari Thoams Crooks, i cili u qëllua për vdekje nga një snajper i Shërbimit Sekret në vendin e ngjarjes./Nacionale