ShBA-ja akuzon një rus për ndërhyrje në politikën amerikane
Prokurorët amerikanë kanë akuzuar një shtetas rus për përpjekje që të shfrytëzojë qytetarët amerikanë si agjentë ilegalë të qeverisë ruse.
Në aktakuzën e Departamentit të Drejtësisë gjithashtu pretendohet se Alexander Viktorovich Ionov, banor i Moskës, është përpjekur që të ndërhyjë në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara.
Thuhet se ai e ka udhëhequr Lëvizjen Anti-Globalizëm të Rusisë, organizatë që rekrutonte grupe politike amerikane për t’i çuar përpara interesat shtetërore ruse. Ai i ka kundërshtuar akuzat.
Në aktakuzë thuhet se Ionov-i ka punuar nën direktivën e Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi (FSB) dhe ka kontrolluar grupe të caktuara politike në Florida, Georgia dhe Kalifornia.
Njëri nga qëllimet e rusit, pretendohet në padi, ishte “promovimi i ndarjes së Kalifornisë nga Shtetet e Bashkuara”.
Nëse shpallet fajtor, shtetasi rus mund të dënohet maksimalisht me pesë vite burgim.
Duke i kundërshtuar akuzat përmes një shkrimi në Facebook, ai shkroi: “Nuk ka emra specifikë të zyrtarëve, nuk ka dëshmi të financimit dhe nuk ka argumente të qarta. Kriza ukrainase i ka çmendur zyrtarët amerikanë! Miq, tash shihni se çfarë lloji i “demokracisë” ekziston në ShBA!”
Ionov i tha televizionit amerikan, CNN, se ai tash për tash ndodhet në Rusi. Njësoj si në rastet e aktakuzave të tjera perëndimore ndaj figurave të larta ruse, ka gjasë që ai të gjykohet në mungesë.
Dhjetëra zyrtarë të lartë rusë dhe organe të kontrolluara nga shteti, përfshirë bankat, janë nën sanksione perëndimore për pushtimin rus të Ukrainës dhe aneksimin e Gadishullit të Krimesë.
Në aktakuzë thuhet se të paktën nga dhjetori i vitit 2014 deri në marsin e vitit 2022, Ionov-i dhe të paktën tre zyrtarë rusë ishin të përfshirë në një fushatë të ndikimit të jashtëm keqdashës me cak Shtetet e Bashkuara./Nacionale