ShBA do të sigurojë raketa me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën
ShBA ka bërë të ditur se në ndihmën më të re ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 2.2 miliardë dollarësh, do të përfshihen edhe raketa me rreze të gjatë veprimi.
Ndihma e fundit e dhënë për vendin në konflikt, e çon ndihmën totale të ShBA-së në më shumë se 29.3 miliardë dollarë që nga shkurti i vitit të kaluar.
Është bërë e ditur se ndër të tjera, në paketën e re do të përfshihen edhe bomba me diametër të vogël të lëshuara nga toka (GLSDB), të cilat mund të godasin objektivat deri në 150 km largësi.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë nuk janë tërhequr nga spekulimet se këto municione mund të përdoren edhe për të sulmuar pjesë të Krimesë së aneksuar.
“Kur bëhet fjalë për planet e Ukrainës për operacionet, është e qartë se ky është vendimi i tyre,”- është shprehur zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brig Pat Ryder.
Ryder ka shtuar se, “paketa ju jep atyre aftësi zjarri me rreze të gjatë, që do t'u mundësojë të kryejnë operacione në mbrojtje të vendit të tyre dhe të marrin përsëri territorin e tyre sovran, pra zonat e pushtuara nga Rusia."
Kujtojmë se Rusia aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj, por muajt e fundit edhe kjo pjesë është vënë në zjarr sporadik nga forcat ukrainase.
Në anën tjetër vendet perëndimore kanë qenë të kujdesshme me avionët luftarakë, duke përjashtuar në mënyrë të përsëritur mundësinë e dërgimit të tyre në Ukrainë – pasi ata mund të përdoren për të goditur edhe brenda Rusisë.
Lidhur me ndihmën e fundit shtesë, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ka falënderuar presidentin amerikan Joe Biden.
“Sa më me rreze të gjatë veprimi të jenë armët tona dhe sa më të lëvizshme të jenë trupat tona, aq më shpejt do të përfundojë agresioni brutal i Rusisë,”- ka shkruar Zelensky, duke shtuar se, “bashkë me ShBA-në, qëndrojmë kundër terrorit”.

