ShBA-ja pritet të “ndizet” nga protestat – ndalimi i abortit i përçan amerikanët - NACIONALE

ShBA-ja pritet të “ndizet” nga protestat – ndalimi i abortit i përçan amerikanët

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas vendimit të Gjykatës Supreme të ShBA-së për rrëzimin e rastit “Roe kundër Wade” të premten, që nënkupton se nuk ekziston më e drejta federale kushtetuese për abort, protestues dhe përkrahës të vendimit u mblodhën të premten para ndërtesës së kësaj gjykate në Washington dhe në qytete të ndryshme të ShBA-së. Pritet që situata e tensionuar të vazhdojë në fundjavë.

Protesta të ngjashme janë planifikuar në disa shtete të ShBA-së në fundjavë, sipas hulumtimeve të televizionit “CNN”. Organizatat si “Prindërimi i Planifikuar” dhe “Marshi i Grave” janë në mesin e grupeve që i kanë organizuar protestat.

Të premten në mbrëmje, forcat e sigurisë në Arizona përdorën gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën e përkrahësve të së drejtës për abort, që po protestonin para ndërtesës së Capitol-it Shtetëror në Phoenix.

Protesta të reja priten të shtunën dhe të dielën, sipas mbrojtësve të abortit. Ato janë planifikuar në qytete të vogla e të mëdha në Nju Jork, Pensilvani, Illinois, Teksas, New Mexico, Kaliforni e në vende të tjera.

Deri të shtunën, 13 shtete kanë ligje që e ndalojnë abortin pas vendimit të Gjykatës Supreme. Këto shtete janë: Arkansas, Idaho, Kentucky, Louisiana, Mississippi, Missouri, Dakota Veriore, Oklahoma, Dakota Jugore, Teksasi, Tennessee, Utah dhe Wyoming.

Ndalimi i abortit tashmë është në fuqi në të paktën gjashtë shtete: Arkansas, Kentucky, Louisiana, Missouri, Oklahoma dhe Dakota Jugore.

Klinikat që ofrojnë aborte tashmë kanë filluar që t’i anulojnë shërbimet e tyre.

Sipas postimeve në uebfaqet e tyre, “Family Planning Associates”, “Planned Parenthood Arizona” dhe “Tucson Choices” në Arizona e kanë ndërprerë veprimtarinë për shkak të mungesës së qartësisë ligjore./Nacionale

Lajme të ngjashme