S’është parë që nga kryengritja: Gjenerali Surovikin po pushon, thotë një deputet rus - NACIONALE

S’është parë që nga kryengritja: Gjenerali Surovikin po pushon, thotë një deputet rus

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjenerali Sergei Surovikin, nënkomandant i operacioneve ushtarake të Rusisë në Ukrainë, i cili nuk është parë në publik që nga kryengritja e dështuar e mercenarëve të grupit “Wagner” muajin e kaluar, është duke pushuar, tha të mërkurën një deputet i partisë në pushtet.

Andrei Kartapolov, kryetar i Komisionit të Mbrojtjes të Dumës Shtetërore, dëgjohet duke thënë në një video të publikuar në rrjete sociale: “Surovikini tash për tash është duke pushuar. S’është i qasshëm tani për tani.”

I njohur si “Gjeneral Armagedoni” nga shtypi rus për taktikat e tij agresive në konfliktin e Sirisë, Surovikini është parë për herë të fundit gjatë publikimit të një videoje ku bënte thirrje për ndërprerjen e kryengritjes nga mercenarët e udhëhequr nga Yevgeny Prigozhini më 23 e 24 qershor, raporton agjencia “Reuters”.

Ishte raportuar se Surovikini kishte marrëdhënie të mirë me grupin “Wagner” dhe me shefin e tij, i cili e çonte gjeneralin, kur vazhdimisht e kritikonte udhëheqësinë ushtarake të Rusisë, sidomos ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, për menaxhimin e luftës në Ukrainë.

Gazeta amerikane, “The New York Times”, raportoi muajin e kaluar duke u mbështetur në të dhënat amerikane të inteligjencës se Surovikini kishte njohuri paraprake për kryengritjen dhe se autoritetet ruse ishin duke kontrolluar nëse ai ishte bashkëfajtor.

Disa gazeta ruse e ndërkombëtare raportuan muajin e kaluar se Surovikini ishte arrestuar, por për këtë veprim të mundshëm nuk ka pasur konfirmim zyrtar dhe Kremlini ka refuzuar që t’u përgjigjet pyetjeve për të.

Lajme të ngjashme