Rusia e arreston gjeneralin Surovikin, për të cilin u raportua se e dinte planin e “Wagner”-it
Njëri ndër komandantët e lartë ushtarak rus, Gjeneral Sergei Surovikin, është arrestuar në Rusi, përderisa Kremlini po i shtyp simpatizuesit e grupit “Wagner” pas kryengritjes së dështuar javën e kaluar.
I njohur për marrëdhënien e mirë me kreun e mercenarëve, Yevgeny Prigozhin, Surovikini nuk është dëgjuar për disa ditë dhe është ndaluar, sipas tre personave të afërt me këtë çështje, raporton gazeta “Financial Times”.
Mbetet e paqartë nëse komandanti i forcave ajrore të Rusisë është akuzuar si komplotues i kryengritjes së udhëhequr nga Prigozhini të shtunën apo thjesht është ndaluar për t’u marrë në pyetje.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur një operacion “pastrimi” në krye të shërbimeve të sigurisë, kanë thënë disa anëtarë të elitës së Moskës, me synimin për t’i shtypur kritikët, për ta rikthyer rendin dhe për ta rivendosur mbizotërimin e tij pas përpjekjes së parë për puç në Rusi në tri dekadat e fundit.
Shumë prej figurave që kanë qenë të njohur për simptatinë ndaj grupit “Wagner” dhe që i kanë kritikuar forcat e rregullta ruse nuk po shihen më ditëve të fundit, ndërsa besnikët, si ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të cilin Prigozhini shpresonte që ta rrëzonte nga pozita, kanë pasur më shumë hapësirë dhe janë shfaqur duke marrë pjesë në takime dhe ngjarje të nivelit të lartë.
“Putini dinte paraprakisht (për planet e Prigozhinit për kryengritje), siç marrim vesh ne, prandaj do të mund të ishte përgatitur deri në një masë. Ai mund të shihte se kush çfarë bëri atë ditë dhe tani po e pastron shtëpinë”- tha një zyrtar i një qeverie perëndimore.
Ky zyrtar tha se beson që Surovikini është ndaluar, duke shtuar: “Ne kuptojmë se do të ketë më shumë njerëz që do të pasojnë.”
