Separatistët kanadezë akuzohen për “tradhti” pas bisedimeve sekrete me ShBA-në - NACIONALE

Separatistët kanadezë akuzohen për “tradhti” pas bisedimeve sekrete me ShBA-në

7 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Takimet e fshehta mes aktivistëve separatist në provincën kanadeze të Albertës dhe anëtarëve të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, përbëjnë “tradhti”, tha të enjten kryeministri i provincës tjetër kanadeze, Kolumbisë Britanike.

“Të shkosh në një shtet të huaj dhe të kërkosh asistencë për ndarjen e Kanadasë, është një fjalë e dalë jashtë mode për këtë – dhe kjo fjalë është tradhti” – tha para gazetarëve David Eby, raporton gazeta “The Guardian”.

Lajmi se aktivistët e së djathtës ekstreme ishin takuar me zyrtarë të Departamentit të Shtetit të ShBA-së fillimisht kishte dalë në një raport të gazetës “Financial Times”, ku përvijoheshin përpjekjet që po i bën një grup i separatistëve gjithnjë më të trimëruar për t’u shkëputur nga Kanadaja.

Një pakicë e banorëve të provincës së pasur me naftë për një kohë të gjatë kanë argumentuar se vështirësitë e rajonit po vijnë si pasojë e strukturës së pagesave për qeverinë federale dhe paaftësisë së perceptuar për t’i vënë në treg rezervat e mëdha të lëndëve fosile.

Organizatorët e lëvizjes për pavarësinë e Albertës, e cila ende gëzon mbështetje vetëm nga një pakicë njerëzish, tani po mbledhin nënshkrime për të kërkuar referendum.

Lëvizja pro-pavarësisë është zhvendosur në pjesë të ndryshme të provincës, pasi organizatorët synojnë që të mbledhin gati 178,000 nënshkrime gjatë muajve të ardhshëm.

Grupi ka thënë publikisht se dëshiron një kredi prej 500 miliardë dollarësh nga Thesari i ShBA-së për ta financuar themelimin e një shteti të ri, në rast se referendumi është i suksesshëm.

Javën e kaluar, sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Scott Bessent, u duk sikur i mbështeti përpjekjet e separatistëve në një intervistë me uebfaqen konservatore, “Zëri i Amerikës së Vërtetë”.

“Ata kanë burime të mrekullueshme. Banorët e Albertës janë popull shumë i pavarur. Thashethemet [janë] se ata mund të kenë një referendum për atë nëse duan të qëndrojnë në Kanada apo jo... Njerëzit po flasin. Njerëzit duan sovranitet. Ata e duan atë që e ka ShBA-ja” – tha zyrtari i lartë amerikan.

Kur u pyet për raportimet se zyrtarët amerikanë ishin takuar me separatistët kanadezë që po e synojnë pavarësinë e Albertës, kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, të enjten tha se pret që administrata amerikane ta respektojë sovranitetin e shtetit të tij.

“Ne presim që administrata amerikane ta respektojë sovranitetin kanadez. Unë gjithmonë jam i qartë në këtë qëllim në bisedat e mia me presidentin Trump” – tha ai në një konferencë për gazetarë.

Carney shtoi se Trumpi kurrë nuk e ka ngritur në diskutimet me të çështjen e Albertës./Nacionale

Lajme të ngjashme