Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së paralajmëron se mbijetesa e Ukrainës është në rrezik - NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së paralajmëron se mbijetesa e Ukrainës është në rrezik

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, të martën paralajmëroi se mbijetesa e Ukrainës është në rrezik dhe u mundua që t’i bindte aleatët se ShBA-ja është e përkushtuar ndaj Kievit, edhe pse Uashingtoni në thelb ka mbetur pa fonde të ndara për ta vazhduar armatosjen e forcave ukrainase.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili vjen nga radhët e Partisë Republikane në opozitë, po refuzon që të organizojë votim të një projektligji me të cilin do të ndaheshin 60 miliardë dollarë shtesë për Ukrainën dhe Shtëpia e Bardhë po mundohet që të gjejë mënyra për t’i dërguar asistencë Ukrainës, që po lufton kundër forcave ruse për më shumë se dy vjet, raporton agjencia“Reuters”.

Austini e udhëhoqi takimin mujor të njohur si grupi i kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, të mbajtur në Bazën Ajrore “Ramstein”Gjermani. Në takim marrin pjesë rreth 50 vende aleate që e kanë mbështetur Ukrainën.

“Sot, mbijetesa e Ukrainës është në rrezik dhe siguria e Amerikës është në rrezik. Largohem nga ky vend sot plotësisht i vendosur për t’i mbajtur duke rrjedhur asistencën e sigurisë dhe municionin e ShBA-së dhe kjo është çështje mbijetese dhe sovraniteti për Ukrainën dhe është çështje nderi e sigurie për Amerikën” – shtoi zyrtari i lartë.

Austini, i cili udhëtoi për herë të parë këtë vit që nga trajtimi për kancer të prostatës, nuk tregoi se si do ta përkrahë Uashingtoni Ukrainën pa fonde shtesë.

Zyrtarët thonë se mungesa e fondeve në dispozicion tashmë është duke pasur ndikim në terren në Ukrainë, ku trupat ruse po avancojnë dhe forcat ukrainase po detyrohen që t’i menaxhojnë burimet e pakta.

“Mendoj se aleatët tanë janë të vetëdijshëm në mënyrë akute për gjendjen tonë të financimit dhe ukrainasit më shumë se kushdo tjetër për shkak të mungesave që po rezultojnë nga paaftësia jonë për t’i furnizuar ata” – tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes në ShBA, duke folur në kushte anonimiteti.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri apel aleatëve të martën për të ofruar më shumë mbrojtje ajrore, duke thënë se Rusia kishte hedhur 130 raketa, kishte kryer mbi 320 sulme me dronë dhe kishte hedhur gati 900 bomba gjatë sulmeve vetëm gjatë muajit mars.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, i cili mori pjesë në takimin me aleatët, tha se pjesëmarrësit “i demonstruan unitetin dhe vendosmërinë e tyre për ta ndihmuar Ukrainën”. “Forcat tona kanë nevojë kritike për municion. Municiooni do të dorëzohet” – shtoi ai.

Javën e kaluar, administrata e presidentit Biden të ShBA-së tha se do t’i dërgonte 300 milionë dollarë asistencë ushtarake Ukrainës, por shtoi se kjo ishte lëvizje e jashtëzakonshme pas kursimeve të papritura nga kontratat ushtarake që i kishte lidhur Pentagoni.

Zyrtarët nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të mund të gjejnë kursime shtesë, por thonë se shuma e tyre nuk do të ishte e mjaftueshme për ta mbuluar mungesën e veprimit nga Kongresi./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme