Së paku 78 të vdekur nga shtypja në Jemen, po prisnin për të marrë ndihma për Ramazan
Të paktën 78 persona kanë vdekur nga shtypja në një shkollë të kryeqytetit jemenas, Sana, gjatë shpërndarjes së disa ndihmave për Ramazan, thonë zyrtarët.
Në pamjet e publikuara në televizion shihej një grumbull njerëzish që nuk mund të lëviznin dhe shumë prej tyre të shqetësuar në zonën Bab-al-Yemen të qytetit, raporton televizioni BBC.
Raportohet se qindra njerëz u dyndën në shkollë të mërkurën vonë për të marrë ndihma me vlerë prej nëntë dollarësh për person.
Rebelët e grupit Houthi e kanë kontrolluar qytetin që nga rrëzimi i qeverisë në vitin 2015.
Dy biznesmenë vendës, të cilët e kishin organizuar këtë shpërndarje të ndihmave, janë arrestuar dhe hetimet janë duke u zhvilluar, tha Ministria e Brendshme.
Një zëdhënës i kësaj ministrie fajin për shtypjen e njerëzve ia la “shpërndarjes së rëndomtë” të fondeve pa bashkërendim me zyrtarët lokalë.
Shumë njerëz janë lënduar dhe 13 prej tyre janë në gjendje kritike, tha një zyrtar shëndetësor në Sana.
“Në mesin e të vdekurve kishte gra dhe fëmijë”- tha një zyrtar i sigurisë i grupit Houthi në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar që të fliste për gazetarë.
Agjencia “Associated Press” citoi dy dëshmitarë të kenë thënë se luftëtarët e grupit Houthi kishin shtënë në ajër në përpjekje për ta kontrolluar turmën, duke goditur një tel të rrymës, veprim që shkaktoi një shpërthim. Kjo shkaktoi panik që çoi te shtypja e njerëzve, shtuan ata.
Raportohet se grupi Houthi është pajtuar që të ndajë nga dy mijë dollarë amerikanë për secilën familje që ka humbur një të afërm, ndërsa të lënduarit do të marrin nga 400 dollarë.
