Së paku 30 trupa të dekompozuar gjenden në një barkë afër Senegalit - NACIONALE

Së paku 30 trupa të dekompozuar gjenden në një barkë afër Senegalit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën 30 trupa të dekompozuar u gjetën në një barkë që po lundronte pa u kontrolluar rreth 70 kilometra larg bregdetit të kryeqytetit të Senegalit, Dakar, tha të hënën ushtria e shtetit afrikan.

Forcat detare u njoftuan për praninë e barkës të dielën në mbrëmje dhe një barkë patrulluese u dislokua menjëherë në zonë, thuhet në një deklaratë të ushtrisë, raporton agjencia “Reuters”.

“Deri më tani, tridhjetë trupa janë numëruar” – thuhet në deklaratë, duke u shtuar se hetimet do të ofrojnë të dhëna më të sakta për numrin e të vdekurve dhe prejardhjen e barkës.

Gjendja e avancuar e dekompozimit të kufomave e bëri të vështirë procesin e identifikimit, thuhet më tej.

Rruga e emigrantëve nëpër Atlantik, nga bregdeti i Afrikës Perëndimore drejt Ishujve Kanari, që zakonisht shfrytëzohet nga emigrantët afrikanë që mundohen të arrijnë në Spanjë, është njëra nga më vdekjeprurëset.

Grupi për të drejtat e emigrantëve, “Walking Borders”, tha në qershor se gati pesë mijë emigrantë kanë vdekur në det në pesë muajt e parë të këtij viti në përpjekje për të arritur te arkipelagu spanjoll.

Lajme të ngjashme