Së paku 27 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në Sumatra të Indonezisë
Ekipet e shpëtimit në Indonezi janë duke kërkuar pasagjerë të ngujuar në një minibus që është mbuluar nga balta, pasi disa zona në provincën e Sumatrës Veriore u goditën nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut, duke lënë të paktën 27 të vdekur, tha të enjten një zyrtar indonezian.
Shiu i dendur në këtë provincë që nga java e kaluar kishte shkaktuar vërshime e rrëshqitje dheu në katër distrikte të ndryshme, sipas agjencisë për menaxhimin e fatkeqësive, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rrëshqitja e dheut në një fshat në Deli Serdang të mërkurën la të vdekur shtatë e lëndoi 20 njerëz, tha zëdhënësi i policisë rajonale, Hadi Wahyudi.
Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar persona të zhdukur, përfshirë ata që kanë mbetur të ngujuar në një minibus dhe në automjete të tjera në një rrugë kodrinore të goditur nga rrëshqitja e baltës, tha ai, duke shtuar se nuk mund të japë ndonjë numër të njerëzve të prekur.
Në vende të tjera, punëtorët e shpëtimit kanë gjetur 20 të vdekur gjatë kërkimit që filloi në fundjavë. Ende janë duke u kërkuar dy persona të zhdukur.
Rrëshqitja e dheut ka shkaktuar dëme në shtëpi, xhami dhe në fushat e orizit.
Shiu i dendur gjithashtu shkaktuan vërshime në kryeqytetin provincial Medan, duke e bërë të detyrueshme shtyrjen e zgjedhjeve rajonale në disa qendra të votimit.